Hetuesit nuk gjejnë pamje filmike të takimit që përgjoi “Babalja”

schedule16:45 - 23 Maj, 2018

schedule 16:45 - 23 Maj, 2018

Hetuesit e Krimeve të Rënda nuk kanë mundur të gjejnë pamje filmike të takimit të pretenduar mes Albert Veliut dhe vëllait të ministrit të Brendshëm në një lokal në Vlorë. Ndërkohë, përgjimi origjinal i publikuar nga PD ndodhet tashme në duart e prokurorisë, e cila pritet ta çojë për ekspertim jashtë vendit. 

Pamjet filmike të kamerave të sigurisë të lokaleve, ku pretendohet të kenë qëndruar Albert Veliu, “Bashkëpunëtori X” i audio-përgjimit të publikuar nga Partia Demokratike nuk i kanë ardhur në ndihmë hetimit. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se nga verifikimi paraprak ka rezultuar se nuk ka pamje të ditës kur pretendohet të jetë realizuar përgjimi i bisedës mes “Babales” dhe Agron Xhafajt, vëllai i ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë prej pasdites të së martës, Prokuroria për Krimet e Rënda zotëron materialin origjinal të përgjimit, si edhe mjetin me të cilin është realizuar përgjimi. Ato u dorëzuan në prokurori nga ana e gazetarit, Jetmir Olldashi, autori i investigimit gjatë të cilit u realizua përgjimi.

Burime jozyrtare konfirmuan se ekspertimi i audiopërgjimit për të identifikuar nëse zëri në të i përket Agron Xhafajt do të realizohet  në një laborator jashtë vendit, pa dhënë detaje për emrin. Prokuroria do të vendosë në dispozicion të laboratorin që do të kryejë akt-ekspertimin edhe regjistrimet audio të zërit që i janë bërë për llogari të hetmit Albert Veliut dhe Agron Xhafajt.

Veliu la kampion krahasues zëri pas dëshmisë së tij ditën e premte tek Krimet e Rënda, ndërsa Xhafaj në Prokurorinë e Tiranës, një ditë para se të udhëtonte drejt Italisë ku u vetëdorëzua tek autoritetet e këtij vendi ku kishte një dënim me burg të pakryer. Nga ana tjetër, prokuroria po kryen verifikime për saktësimin e punonjësve të policisë me emrin “Ermal” në organikën e Policisë së Vlorës për kohën, kur pretendohet të jetë bërë audiopërgjimi, e nëse po, në cfarë sektori ka qenë i angazhuar./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!