Qëndrimi në Superligë, Vllaznia në ankth

schedule16:11 - 23 Maj, 2018

schedule 16:11 - 23 Maj, 2018

Skuadra më e vjetër e futbollit shqiptar ende rrezikon të bjerë nga Superliga. Tifozët dhe specialistët shkodranë janë të shqetësuar se, pavarësisht buxhetit aspak të vogël, Vllaznia mund të mos jetë në elitë sezonin e ardhshëm

Edhe pse shpëtimi është më pranë, qyteti nuk është i qetë. Tifozët shkodranë dolën disa ditë më parë përpara Bashkisë për të protestuar për Vllazninë, por ekipi ende nuk e ka siguruar Superligën.

Mbrëmja e sotme, pas dy finaleve të javës së fundit, do të jetë ose e lumtur, ose me dëshpërim të plotë. Shkodra që solli futbollin në Shqipëri, klubi i themeluar në 1919-n rrezikon seriozisht, duke mos e pasur fatin në duart e veta.

I duhet të fitojë në Korçë dhe të shpresojë që Partizani të mundë Kamzën, ose të fitojë me 4 gola në fushën e Skënderbeut, dhe Partizani të mos humbasë me kamzalinjtë.

Çfarë e solli Vllazninë deri këtu?

Ish-lojtarii shquar dhe ish-trajner, Edi Martini, gjykon kështu ndërsa flet për ABC News.

Edi Martini: “Kishim disa probleme që unë kryesisht i quaj teknike dhe nuk i quaj shumë përgjegjësi presidencës, jo se dua t’i dal zot bashkisë. Bashkia ka gjynahet e veta. Bashkia duhet t’i kërkonte llogari trajnerit. Duhet të ishte dikush i ndërmjetëm midis presidencës dhe trajnerit.”

Më i ashpër me drejtuesit është ish-trajneri dhe futbollisti i një brezi më të hershëm, Hysen Dedja.

Hysen Dedja: “Vllaznia pse është larguar nga fitimi i trofeve. Pse kjo psikologji. Unë do të thosha të gjithë ata që kanë drejtuar 7 vjet duhet të largohen vetë nga futbolli”.

Habia është e madhe që Vllaznia mbërriti në këtë gjendje, edhe pse buxheti nuk ishte aspak i papërfillshëm. Mjafton të dëgjojmë anëtarin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Fatlum Nurjen, në emisionin “Procesi Sportiv”.

Fatlum Nurja: “Bashkia financon 1 miliard e 200 milionë në vit për Vllazninë dhe kjo është një shumë jashtëzakonisht shumë e madhe krahasuar dhe me ekipet e tjera”.

Vllaznia është 9 herë kampione e Shqipërisë, 11 herë nënkampione dhe 6 herë fituese e Kupës, por edhe sezonin e kaluar ishte në këtë gjendje, duke shpëtuar pikërisht në javën e fundit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!