Një bankë e nivelit të dytë në Lushnje është tentuar të grabitet ditën e sotme nga një person i maskuar dhe i armatosur. Policia ka ndaluar autorin Olcion Muçon 1 kilometër larg vendngjarjes.
Një person me maskë dhe me armë në dorë tentoi të grabiste një bankë të nivelit të dytë në Lushnje. Veprimet, autori kishte planifikuar t’i kryente rreth orës 16:00. Dera e bankës ishte e mbyllur për klientët.
Autori në pamundësi për të hyrë brenda nxori pistoletën dhe qëlloi 6 herë në drejtim të bankës. Për pasoje u thyen xhamat dhe u vu në rrezik jeta e punonjësve, por nuk pati të lënduar.
Pasi mbaroi të gjitha plumbat dhe nuk mori dot paratë për shkak edhe të rënies së alarmit të bankës, autori iku me vrap në drejtim të pjesës lindore të qytetit.
Ai u fut në mes të një blloku pallatesh në lagjen “Xhevdet Nepravishta” 500 metra larg bankës, hodhi maskën dhe vazhdoi të ecë në këmbë me pistoletën në dorë.
Një nga patrullat e policisë është gjendur rastësisht pranë vendit të ngjarjes dhe menjëherë është vënë në ndjekje të autorit. Ai është kapur nga uniformat blu, të cilët bëjnë me dije se është autori Olcion Muço nga Berati. Mësohet se 25-vjeçari është efektiv i repartit ushtarak në Poshnje. /abcnews.al