Mbrëmjen e djeshme Juventusi filloi mbrojtjen e titullit kampion në Serie A, ku të besuarit e Pirlos e startuan me këmbën e mbarë kampionatin. Bardhezinjtë fituan me rezultatin 3-0 në shtëpi kundër Sampdorias duke siguruar kështu tre pikët e para për këtë sezon. Leonardo Bonnuci është shprehur tepër i lumtur për fitoren e arritur si dhe tregon ndryshimet mes Andrea Pirlos dhe Maurizio Sarrit.
“Kemi disa ide të reja të propozuara nga trajneri dhe stafi i tij, pak a shumë një mënyrë e re për të interpretuar lojën. Kemi shumë entuziasëm kur kemi topin në zotërim, por edhe kur lëvizim pa top. Ndryshimi i madh mes Pirlos dhe Sarrit është se ne tashmë kemi iniciativë për ta gjetur më shpejt golin dhe për të siguruar kështu dhe fitoren. Po sulmojmë më shumë dhe për mua kështu është më mirë,” deklaron italiani për “Sky Sport Italia”.
“Me Sarrin lëviznim më tepër si një grup në mbrojtje, ndërsa me Pirlon jemi më shumë në lojën një me një, duke na dhënë më shumë liri për të qenë agresivë dhe për të fituar topin. Kemi katër mesfushorë shumë të mirë që luajnë në qëndër, të cilët janë agresivë. Kjo është një plus më shumë për ne dhe këtë e shikoj si ndryshim nga sezoni i kaluar,” përfundon Bonucci. /abcnews.al