Shqipëria e Greqia me numrin më të ulët të armëve të zjarrit në rajon

schedule12:55 - 22 Maj, 2018

schedule 12:55 - 22 Maj, 2018

Sipas sondazhit më të fundit të përgatitur nga “gunpolicy.org”, Shqipëria dhe Greqia janë vendet që kanë numrin më të ulët të armëve të zjarrit të regjistruara për banorë. Ndërsa Mali i Zi mban vendin e parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë vitit 2017, çdo pesë ditë në Shqipëri ka ndodhur një vrasje. Por nëse do të llogariteshin dhe vrasjet e mbetura në tentativë shifrat do të ishin dhe më alarmante pasi po në 2017-ën, çdo dy ditë është regjistruar një tentativë për vrasje.

Gjithësesi sipas të dhënave të publikuara nga “gunpolicy.org”, Shqipëria ka numrin më të ulët të armëve të zjarrit të regjistruara në rajon për 100 banorë, me rreth 2.1 armë për çdo 100 persona. Numrin më të lartë të armëve të regjistruara për 100 banorë në të gjithë Europën e ka Mali i Zi.

Vendet që kanë numër të lartë armësh të regjistruara janë ish-vendet e Federatës Jugosllave, si Mali i Zi me 15.2, Serbia me 12.1, Kroacia dhe Maqedonia me përkatësisht 8 dhe 7.5 armë zjarri të regjistruara për 100 banorë. Edhe vendet e Evropës Jugore si Portugalia, Italia dhe Spanja sipas të dhënave të marra nga gunpolicy.org, renditen ndër vendet me numër të lartë armësh të regjistruara. Në Portugali, për çdo 100 banorë, 13 janë të pajisur me armë zjarri. Në Itali, raporti është thuajse 12 persona për çdo 100 banorë. Në Spanjë, numri i të armatosurve për 100 mijë banorë është 6.2, edhe pse më i ulët se fqinjët portugezë, përsëri është mbi mesataren europiane. Në të gjithë Evropën, për çdo 100 banorë, 5 kanë armë zjarri të regjistruar.

Vendet nordike kanë gjithashtu numër të lartë personash, të cilët kanë një armë të regjistruar. Sipas të dhënave për çdo 100 banorë 12.6 kanë një armë në Finlandë, duke u renditur si shteti i dytë me numrin më të lartë të njerëzve që posedojnë një armë me leje. Më pas renditet Norvegjia me 9.7 persona për 100 banorë, ndërsa Suedia numëron 6.5 për çdo 100 banorë.

Greqia është vendi me numrin më të ulët të armëve të regjistruara, ku për çdo 100 banorë 0.03 kanë armë zjarri të regjistruar.  Më pas renditet Rumania me 0.27, Danimarka me 0.39, Hungaria me 0.83 dhe Polonia me 0.89. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!