Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia në rrjetin social “Facebook” ka reaguar me kritika ndaj kryeministrit Rama.
Po ashtu ai është ndalur edhe tek deklaratat për rritjen e rrogave të stafit mjekësor.
Ai shton se prej muajsh flitet për rritje rrogash, por deri më tani nuk është bërë asgjë, ndërsa shton se modeli i kryeministrit Edi Rama është mashtrim.
Sakaq ai shton: “PD ka një projekt konkret për rritjen e pagave, 1200 euro/muaj për mjekët, 700 euro/muaj për infermierët. Është një nga projektet tona më të rëndësishme për t’u dhënë shqiptarëve një sistem shëndetësor, që punon për ta, jo për një grusht njerëzish”.
Statusi:
Me Edi Ramën në krye të qeverisë nuk ka për të patur rritje të vërtetë pagash për mjekët.
Deklaratat e Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit për rritjen e rrogave të mjekëve janë zgjatje e agonisë së një pushteti të kalbur, gati për t’u shembur në 25 Prill.
Ka një muaj që flasin për rritje pagash, por nuk kanë asgjë konkrete, sepse modeli i vetëm i Edi Ramës është mashtrimi! Po i mashtron mjekët dhe infermierët njëlloj siç mashtroi shqiptarët për shëndetësi falas.
PD ka një projekt konkret për rritjen e pagave, 1200 euro/muaj për mjekët, 700 euro/muaj për infermierët. Është një nga projektet tona më të rëndësishme për t’u dhënë shqiptarëve një sistem shëndetësor, që punon për ta, jo për një grusht njerëzish.
/abcnews.al/

