Këshilli i Europës: Rishikoni paketën anti-shpifje! Meta thirrje PS-së: Reflektoni nga kokëfortësia

schedule19:10 - 17 Shtator, 2020

schedule 19:10 - 17 Shtator, 2020

Raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, Stefan Schennach ka shprehur sot shqetësimin e tij në lidhje me mundësinë që Parlamenti i Shqipërisë mund të miratojë ndryshimet në legjislacionin aktual që synojnë mediat online, pra paketën anti-shpifje, pavarësisht kritikave të ndërkombëtare, duke përfshirë organizatat e lirisë së medias dhe Komisionin e Venecias të Këshillit të Evropës.

Legjislacioni i propozuar nga kryeministri shqiptar si një ‘paketë anti-shpifje’ synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet, të urdhërojë mediat të heqin lajmet për çështje të tilla si ‘cënimi i dinjitetit të individëve’, nën kërcënimin e gjobave të rënda. Një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias”tha ai.

Unë i referohem Opinionit të Komisionit të Venecias, i cili thotë qartë se ligji ka paqartësi dhe do të ketë të ngjarë të ketë një efekt të fortë duke shtypur lirinë. Unë ndaj mendimin e Komisionit të Venecias se teksti i projekt-amendamenteve, nëse nuk rishikohet, rrezikon t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi lirisë së shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet”shtoi Schennach.

Prandaj, unë e nxis parlamentin shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë të gjithë procesin” përfundoi raportuesi. Presidenti Ilir Meta ka publikuar deklaratën e Këshillit të Europës në lidhje me paketën anti-shpifje të iniciuar nga shumica socialiste, për të cilën ‘Venecia’ kërkoi ndërhyrje duke bërë thirrje për reflektim.  “Duhet reflektuar sa më parë! Çdo kokëfortësi, jo vetëm që nuk i shërben çeljes së negociatave, por nuk do të frikësojë askënd.  Përkundrazi!” shkruan Meta.

Por cfarë kërkoi Komisioni i Venecias? Raporti sugjeronte se është e dobishme të rishikohet metoda e zgjedhjes së AMA-s dhe anëtarëve të këshillit të Ankesave. “Këto organe të kanë një përbërje pluraliste, të përbëhen nga individë të kualifikuar, të përfaqësojnë komunitetin e mediave dhe të gëzojnë një autonomi të besueshme nga qeveria dhe kontrollin e korporatave. Ligji ka paqartësi dhe ka të ngjarë të ketë një efekt frenues, duke shtypur diskutimin e lirë dhe fjalimin politik” thuhej në raportin e 19 qershorit.

Lexo edhe: Soreca: Çdo ndryshim duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e “Venecias”

Për të adresuar problemin e mediave të papërgjegjshme, Komisioni i Venecias inkurajonte autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues të pavarur e funksionues ku të jenë të aktorët përkatës të komunitetit të mediave, të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe  llogaridhënies.

Raporti e konsideronte ligjin jashtëzakonisht problematik për lirinë e mediave, në pikën për masat ndëshkuese përmes gjobave. Kryeministri Edi Rama premtoi se sugjerimet e “Venecias” do të adresohen pa humbur kohë për të garantuar me ligj mbrojtjen nga shpifja dhe detyrimin e çdo portali për t’u identifikuar si subjekt i ligjit./db/Abcnews.al