Operacioni i madh ndërkombëtar kundër kartelit të shqiptarëve për trafik dhe shpërndarjen e kokainës nga Ekuadori në Europë ka bërë që të reagojnë edhe autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, raporton abcnews.al.
Në një konferencë të posaçme për shtyp, koloneli Saeed Al Qamzi, nga Departamenti i Personave në Kërkim në Policinë e Dubait, ka dhënë detaje në lidhje me arrestimin atje të shqiptarit Denis Matoshi alias Eldi Dizdari.
Lexo edhe: Dritani sillte kokainën, Eldi e shpërndante: Si funksiononte karteli i shqiptarëve, i kapën 5 milion euro
Kolonel Saeed Al Qamzi thekson se arrestimi i Eldi Dizdarit u bë në kuadër të operacionit “Los Blancos” pas shkëmbimit të informacionit me autoritetet italiane.
“Në bashkëpunim me liderë të tjerë të bandave shqiptare, Dizdari mundësoi transportin dhe shpërndarjen e qindra tonëve kokainë në portet e Europës“, njoftoi kolonel Al Qamzi.
Gjatë operacionit u arrestuan 5 persona në Shqipëri si edhe i është komunikuar akuza e “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike” edhe 5 shqiptarëve të tjerë.
Ata janë:
Lek Colaj, 40 vjeç, i cili u arrestua në Rumani;
Gjergj Lesaj, 38 vjeç, i cili u arrestua ne Holandë;
Sokol Aliko (Memetaj), 36 vjeç, i cili u arrestua në Spanjë;
Robert Varga, 44 vjeç, i cili u arrestua në Hungari.
Gjithashtu iu komunikua masa e sigurisë “Arrest në burg” shtetasit Altin Velsula (Hoxha), 36 vjeç, i cili ndodhet në burg në Norvegji.
Lexo edhe: Mbyllën bizneset dhe ikën në Dubai, si u arrestua për kokainë burri i miss-it shqiptar Suada Sherifi
Gazetari Artan Hoxha bën me dije për abcnews.al se referuar hetimeve të deritanishme, grupi funksionte me detyra të ndara.
Sipas hetimeve, Dritan Rexhepi siguronte lëndën narkotike nga Ekuadori, e cila sillej në rrugë ilegale në Europë dhe këtu shpërndahej më pas nga grupi i Eldi Dizdarit, i cili njihet ndryshe edhe si Denis Matoshi.
Raportohet se nga operacioni “Los Blancos” janë sekuestruar 5 milion euro si edhe 4 ton kokainë, duke përbërë kështu një ndër goditjet më të forta ndaj grupeve kriminale shqiptare të trafikut të lëndëve narkotike. /abcnews.al