PD Elbasan padit kreun e ISHSH: I ka shpërndarë vartësve formularin e mbledhjes së votave

schedule14:19 - 14 Shtator, 2020

schedule 14:19 - 14 Shtator, 2020

Partia Demokratike e Elbasanit ka paditur në Prokurori drejtorin e ISHSH në Elbasan, të cilin e akuzon se ka shpërndarë një formulari tek punonjësit në varësin e tij.

Sipas PD, kreu i ISHSH në Elbasan Blendi Musai ka shpërndarë formularin e mbledhjes së votave duke kryer krim dhe abuzim të rëndë me detyrën.

“Ky është Formulari i mbledhjes së votave për Partinë Socialiste i shpërndarë nga Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor Elbasan Blendi Musai, tek punonjësit nën varësinë e tij. Ky është krim dhe abuzim i rëndë me detyrën.

Partia Demokratike Elbasan dënon këtë akt kriminal të Blendi Musait dhe e garanton se do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë hezitim.

Gjatë ditës së sotme kemi përcjellë të dhënat e plota për kallëzimin e tij në prokurori për kryerjen e veprës penale të parashikuar në nenin 328/a “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” të Kodit Penal.

Partia Demokratike Elbasan garanton të gjithë punonjësit e administratës publike që nuk angazhohen në veprimtari politike dhe nuk bien pre e presionit të paligjshem, se asnjë akt shantazhi apo largimi nga puna për qëllime elektorale nuk do të njihet nga Qeveria e re e Partisë Demokratike, e dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit 2021″, përfundon deklarata e PD./m.v. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!