Ish-deputetja demokrate Dhurata Çupi ka akuzuar qeverinë se ka lënë fëmijët pa mbështetje ekonomike, një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor.
Teksa ka publikuar rrëfimin e një të mituri, ajo thotë se fëmijët në Dibër dhe Mat po shesin misra në rrugë për të blerë veshje dhe libra për shkollë.
Në videon e publikuar nga Çupi shfaqet edhe një fëmijë i cili tregon se po e bën këtë punë që prej muajve të verës.
“Kam dalë me ble rroba dhe rraqe. Me ndihmuar babin gjithë verës këtë punë kam bërë”, shprehet ai.
Çupi thotë se varfëria dhe dëshira për dije e këtyre fëmijëve po luftojnë me njëra-tjetrën, ndërsa akuzon kryeministrin Edi Rama se nuk do t’ia dijë për ta.
“Nesër do të shikoni pamje nga fasada e qeverisë me shkollat, por duhet të njihni edhe një realitet tjetër, larg propagandës.
Me dhjetra fëmijë në rrugët e Matit e Dibrës dalin në rrugë për të shitur misra apo çajra të ndryshme, në përpjekje për të blerë librat ose veshjet për shkollën.
Ministrat që kanë kaluar dy ditë më parë në atë rrugë me makina superluksoze as nuk kanë ndërmend të bëjnë diçka për të ndryshuar situatën.
Varfëria dhe dëshira për dije luftojnë me njëra-tjetrën në çdo cep të Dibrës. Fatkeqësisht, tani kemi një kryeministër që nuk do t’ia dijë për fëmijët e Dibrës”, shkruan Çupi./m.v. abcnews.al