Kukësi ka hedhur sytë nga të rinjtë. Verilindorët ndër vite kanë afruar në ekip përgjithësisht lojtarë me eksperiencë, ose të afirmuar. Tani duan ta ndryshojnë pak trendin, pasi është e domosdoshme të marrësh lojtarë që t’u rritësh vlerën me shpresën për t’i shitur.
Një ditë më parë Kukësi zyrtarizoi afrimin e mbrojtësit Altin Bytyçi, pjesë e Kosovës U19 dhe më parë ka luajtur edhe për moshat e verilindorëve. Më parë janë konfirmuar edhe Tafa e Dragoshi, kurse i fundit që ka firmosur është Eljan Çelaj.
E zbulon UEFA, ku figuron emri i sulmuesit anësor për ndeshjen e radhës në Europa League kundër Wolfsburg. Çelaj është produkt i Partizanit dhe njihet për cilësitë e tij teknike dhe driblimet.
Dy sezonet e fundit ka luajtur me Luftëtarin dhe Flamurtarin dhe do të mbetet sërish pjesë e Superiores, këtë herë duke mbrojtur fanellën e Kukësit. / abcnews.al