Zgjerimi i ardhshëm i BE-së, liderët në Sofje

schedule09:48 - 17 Maj, 2018

schedule 09:48 - 17 Maj, 2018

Në Sofje të Bullgarisë janë mbledhur liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe liderëve të vendeve të Bashkimit Europian në samitin e paralajmëruar për zgjerimin e ardhshëm të Unionit.

Takimi, që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh, synon të rikonfirmojë ardhmërinë evropiane të vendeve të rajonit, siç rikonfirmoi dje edhe presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.

Aksi i parë i këtij samiti ka të bëjë me zgjerimin e ardhshëm të Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit. Liderët europianë do të diskutojnë mbi progresin e çdo vendi të Ballkanit aspirant për anëtarësimin në BE, por pa dhënë data dhe pa dalë me konkluzione për secilin vend.

Aksi i dytë ka të bëjë me promovimin e Bashkimit Europian të krijimit një tregu rajonal dhe klime investimi favorizuese në Ballkan, duke mbështetur ndërlidhjen e rajonit në mënyrë substanciale në të gjitha dimensionet, transport, energji, ekonomi, dixhitalizimi dhe, shkëmbimet në fushën e arsimit.

Ndërsa aksi i tretë ka të bëjë me bashkëpunimin në sigurinë nga njëra anë për luftën kundër terrorizmit, radikalizimit dhe kthimin e luftëtavrëve të hua, dhe nga ana tjetër luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky samit shihet si një rikthim i vëmendjes së Bashkimit Europian drejt Ballkanit pas një periudhe të gjatë, por ai nuk pritet të jetë më konkret nga ç’kishte qenë takimi i Selanikut 15 vjet më parë.

Zyrtarët evropianë pritet të ritheksojnë qëndrimin se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe, duke vënë theksin tek normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhja e kontestit rreth emrit të Maqedonisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!