Donald Trump Jr. i tha Komisionit Juridik të Senatit se nuk i kujtohej nëse kishte diskutuar me të atin për hetimin mbi Rusinë, sipas intervistës së zbardhur të tij me këtë komision vitin e kaluar.
Komisioni bëri sot publike mbi 1 mijë e 800 faqe intervistash të zbardhura me të birin e zotit Trump dhe të tjerë që u takuan me një avokate ruse në Trump Tower para zgjedhjeve të vitit 2016.
Trump Jr. iu shamng shumë pyetjeve gjatë intervistës, përfshirë nëse kishte diskutuar me të atin për hetimin mbi Rusinë.
Sipas dokumentave të zbardhur, i biri i Presidentit tha gjithashtu se nuk mendonte se kishte ndonjë të keqe me takimin në Trump Tower, ku atij iu premtuan të dhëna që mund t’i shkaktonin dëm Hillary Clintonit.
I pyetur nëse mendonte se do të ishte problem që të merrte pjesë në një takim, që i ishte paraqitur si pjesë e përpjekjes së qeverisë ruse për të ndihmuar të atin, Donald Trump Jr tha “jo”.
“Jo, nuk mendova se do të ishte problem të dëgjoja informacione të rëndësishme për karakterin e një kandidateje presidenciale”, tha ai.
Takimi po shqyrtohet në hetimin e Prokurorit të Posaçëm, Robert Mueller.
Përveç Trump Jr, komisioni intervistoi edhe katër persona të tjerë që morën pjesë në takimin e Nju Jorkut. Komisioni nuk intervistoi avokaten ruse, Natalia Veselnitskaya në qendër të takimit./Zëri i Amerikës