E shtuna e 12 shtatorit duhet të shihte ekipet e Superiores në fushë, por kjo nuk ndodhi. Liga Profesioniste e Futbollit, pas një mbledhjeje të bërë në fillim të gushtit, vendosi unanimisht të drejtojë drejt qeverisë dhe kuvendit katër kërkesa, që lidhen me ligjin e sponsorizimit, tatim mbi fitimin, faljen e kamat vonesave të detyrimeve fiskale dhe uljen e TVSH-së.
Asnjë reagim nuk pati nga qeveria dhe Liga vendosi shtyrjen pa afat të kampionatit, që u pranua edhe nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit. Në lidhje me këtë situatë të krijuar, ka folur një prej presidentëve të Superiores, Pashk Laska. Kreu i klubit të Laçit fillimisht foli për vendimin e marrë nga klubet.
“Ishim të detyruar nga rrethanat që të vendosnim të shtynim kampionatin. Të dhjetë klubet e Superiores ishin dakord dhe duhet kuptuar që nuk ka rrugë tjetër kur as nuk dëgjohesh. Katër kërkesat e bëra nuk janë as më shumë e as më pak veçse premtimet e vetë kryeministrit Edi Rama. 100 ditët u bënë dy vite dhe ndryshimet që kërkon komuniteti i sportit dhe i futbollit në veçanti nuk ndodhën. Duhet të vepronim dhe tani jemi në këtë situatë“, u shpreh Laska fillimisht për Abcnews.al.
Presidenti i Laçit nuk stepet dhe komenton edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, madje ka edhe një mesazh për të. “E kam dëgjuar atë që tha dhe na vjen keq që deklaron që as nuk është në dijeni të kërkesave të bëra.
Kryeministri dhe çdo njeri i politikës duhet ta kuptojë se kjo nuk është një luftë kundër qeverisë, por është një përpjekje e jona për ta formalizuar futbollin, për të pasur më shumë tifozë në stadiume, për të patur më pak dhunë. Pikërisht me plotësimin e kërkesave tona mund të arrihet diçka e tillë.
Futbolli nuk po kërkon lëmoshë, por mundësi për t’u zhvilluar. Nëse qeveria na fal sot 5 lekë, falë ecurisë së mirë në Europë mund të marrë 10 lekë nesër. Futbolli është shumë më shumë se paratë: është shëndet, është kulturë, është argëtim, fal emocione dhe bën qindra mijëra fëmijë të ëndërrojnë. Mjafton një top dhe një fushë dhe harron gjithçka.
Si një ish sportist, kryeministri Edi Rama duhet t’i dijë mirë të gjitha këto dhe madje mund të thotë po këta kujt ia thonë këto gjëra. Sot është mundësia që kjo qeveri të bëjë diçka të mirë për futbollin dhe të ardhmen e tij.
Le të ulemi në tavolinë, të flasim shtruar dhe t’i japim zgjidhje një herë e mirë kësaj situate. Vullneti i klubeve është dhe nuk ka asnjë arsye pse të mos jetë edhe i qeverisë“, përfundoi presidenti i Laçit, Pashk Laska. / abcnews.al