Tre persona janë arrestuar nga policia dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi kanë kundërshtuar forcat e policisë që po shoqëronin njërin prej tyre.
Ky i fundit është konstatuar duke drejtuar një kamion të ngarkuar me krom. Ai është sinjalizuar nga policia për të ndaluar në aksin rrugor Krumë-Letaj, ku i është kërkuar dokumentacioni.
Por në përgjigje ndaj tyre, ai ka refuzuar duke i kundërshtuar ata. Në këtë moment punonjësit e policisë e kanë shoqëruar për t’i bllokuar mjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Has.
Në mbrojtje të tij kanë shkuar familjarët e të ndaluarit A. D., konkretisht vëllezërit B. D., D. D. dhe kushëriri i tij B. D. duke kanosur dhe kundërshtuar punonjësit e policisë.
Por përfundimi ka qenë i hidhur për tre prej tyre, pasi kanë përfunduar në pranga ndërsa tjetri është shpallur në kërkim. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës
“Kishin ngarkuar kamionin me krom, katër persona arrestohen pasi kundërshtojnë me dhunë policinë.
Kundërshtuan urdhrin e punonjësit të Policisë dhe i kanosën ata për shkak të detyrës, vihen në pranga tre shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Në zbatim të planit të masave për goditjen e paligjshmërisë, goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike, dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm dhe kontrabandës, strukturat e DVP Kukës kanë ushtruar kontrolle me pika të lëvizshme kontrolli në të gjitha akset rrugore të qarkut Kukës.
Në këtë kuadër, në njërën nga pikat e kontrollit, konkretisht në aksin rrugor Krumë-Letaj, shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe i kanë bërë shenjë për ndalim, drejtuesit të një kamioni pa targa, i cili ishte i ngarkuar me material kromi në dukje.
Punonjësit e Policisë i kanë kërkuar drejtuesit të mjetit shtetasit A. D., dokumentacionin e mjetit dhe të ngarkesës, por shtetasi A. D. i ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk ka dhënë asnjë dokument. Në këto kushte punonjësit e Policisë e kanë shoqëruar, për t’i bllokuar mjetin në ambientet e Komisariatit të Policisë Has.
Gjatë shoqërimit për veprime të metejshme në Komisariatin e Policisë Kukës, familjarët e shtetasit A. D., konkretisht vëllezërit B. D., D. D. dhe kushëriri i tij B. D., janë konfliktuar dhe kanë kanosur punonjësit e Policisë, me qëllim që të mos bllokonin kamionin.
Me ardhjen e forcave të tjera të Policisë në ndihmë është bërë shoqërimi i shtetasve në ambientet e Policisë dhe në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të tyre, konkretisht:
B. D., 30 vjeç, A. D., 33 vjeç dhe B. D., 34 vjeç, banues në Golaj.
Si dhe u shpall në kërkim policor shtetasi D. D., 36 vjeç, njëri prej vëllezërve të drejtuesit të kamionit.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa nga ana e Policisë rrugore vijojnë veprimet për bllokimin e kamionit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, ”Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, kryer në bashkëpunim”, njofton policia./m.v. abcnews.al