Kritikohet për Sasrakun, Duro mbron Çomon: Më kanë mbytur edhe mua për Racic

schedule11:39 - 11 Shtator, 2020

schedule 11:39 - 11 Shtator, 2020

Derrick Sasraku, sulmuesi ganez, u zyrtarizua dje pjesë e Tiranës dhe në kampin bardheblu presin që të shënojë sa më shumë me fanellën e tyre. Sezonin e fundit i kanë munguar golat dhe Hektor Çomo, njeriu që ka mundësuar transferimin e tij te Tirana, u ngacmua në emisionin “Pressing” në ABC News për golat e paktë.

“Sasraku nuk ka shënuar? Në vitin 2018, kur shkova të shikoja Cobbinah, ishte golashënuesi më i mirë me 11 gola e 10 asiste. Ka edhe shumë shkelma atje. Në atë kohë nuk e merrnim dot, pasi u shit në Tunizi me 200 mijë dollarë”, tha Çomo gjatë emisionit të drejtuar nga Gerti Çarçani.

Në mbrojtje të tij doli trajneri i njohur, Shpëtim Duro. “E tha edhe Çomo, që futbolli nuk është shkencë ekzakte dhe varet si përshtatesh. Më kanë mbytur gazetat kur mora Stevan Racic, Unë e kisha parë vetë në një ndeshje, rastësisht.

Pas tre muajsh, kur shkova trajner i Partizanit, e mora në ekip. Ai kishte shënuar dy gola në Serbi gjithë kampionatin. Te ne shënoi 15 gola. Më parë thonin ‘Çfarë është ky? Ka shënuar dy gola’. Pra ka edhe kështu rastesh. Ka qenë një nga shënuesit më të mirë, së bashku me Ekuban, në vitet fundit”, tha Duro. /abcnews.al