Koreja e Veriut pezullon bisedimet e nivelit të lartë me Jugun

schedule23:53 - 15 Maj, 2018

schedule 23:53 - 15 Maj, 2018

Koreja e Veriut ka pezulluar papritur bisedimet e nivelit të lartë me Jugun fqinj. Shkak janë bërë stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Seulit dhe Shteteve të Bashkuara, që Peniani i konsideron një kërcënim të pastër dhe një provokim.

Korea e Veriut ka deklaruar se do të pezullojë bisedimet e nivelit të lartë me Korenë e Jugut, për shkak të stërvitjes së përbashkët ushtarake me Shtetet e Bashkuara. Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, që ka raportuar vendimin e regjimit të Penianit, hedh gjithashtu dyshime mbi takimin e paralajmëruar për muajin e ardhshëm mes liderit Kim Jong un dhe presidentit amerikan Donald Trump. “Stërvitjet, që na vënë në shënjestër neve, janë një sfidë dhe një provokim ushtarak që cënon zhvillimet e fundit pozitive në gadishullin Korean”, thuhet në deklaratë. Agjencia koreano-veriore i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të tregohen të kujdesshme sa i takon fatit të bisedimeve dypalëshe. Takimi mes Veriut dhe Jugut, i planifikuar për të mërkurën, do të kishte në fokus implementimin e kritereve të caktaura në deklaratën e përbashkët të 27 prillit, mes të cilave anulimi i Luftës Koreane dhe asgjësimi i arsenalit bërthamor. Peniani e ka cilësuar stërvitjen ushtarake ajrore “Rrufeja e Madhe”, ku thuhet se janë përdorur avionë amerikanë të pakapshëm nga radarët dhe bombardues “B-52”, një provokim. “Dhe në kushte të tilla nuk na mbetet tjetër veçse të pezullojmë bisedimet”, thuhet në deklaratën e regjimit. /abcnews.al