Prej kohësh ishte rënë dakord për bashkimin e basketbollit të Shqipërisë me atë të Kosovës. Konkretizimi ndodhi sot, kur u firmos krijimi i Ligës Unike. Tetë ekipe do të marrin pjesë në Ligën e përbashkët, katër nga Shqipëria dhe po kaq skuadra dardane.
Një marrëveshje historike për kombin tonë midis Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB) dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK). Marrëveshjen e nënshkruajnë Avni Ponari, presidenti i FSHB, Arben Fetahu, presidenti i FBK, nën praninë e dy ministrave të Kulturës Rinisë dhe Sporteve të dy shteteve tona, Besa Shahinit dhe Vlora Dumoshit.
I pranishëm në këtë ceremoni të veçantë është edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, i cili ka deklaruar mes të tjerash: “Është një vendim i rëndësishëm jo vetëm që federatat e basketbollit kanë vendosur të krijojnë një Ligë unike. Paralelisht me kampionatet do të bëjnë një aktivitet sistematik që do të përfshije dy anët e kufirit.
Kjo nismë hap një rrugë të re, krijon një model dhe me siguri do të bëhet shtysë për të tjerët që ta ndjekin. E përforcoj mendimin e dhënë këtu nga të dyja ministret. Ne jemi më shumë se mbështetës. Ne e duartrokasim këtë nismë. Kjo është pak si veza e Kolombit, që kur e shoh të ndodhë thua pse nuk ka ndodhur më parë, ose pse ka ndodhur vetëm kjo.
Është dashur një periudhë pjekurie e këtyre ideve dhe dëshirave që kanë ekzistuar prej kohësh. E mbaj mend personalisht. Idetë kanë nevojë për kohën e tyre. Fakti që i erdhi koha është shumë i gëzueshëm. Shumëçka duket sot e vonuar, por deri para më shuam se 10 viteve dukej fantashkencë.
Krijimi i Ligës Unike i çon gjërat në nivel tjetër në organizimin e aktiviteteve të përbashkëta. Kam shpresë dhe besim që kjo do të bëhet shtysë edhe për të tjerët. Aq për më tepër, në sport jemi të mëdhenj të jemi bashkë. Veç jemi shumë të vegjël.
Mendoj që ideja aspak e re tanimë e organizimit të kampionateve të përbashkëta dhe e përfshirjes së sistemit të klasave sportive në një hapësirë të përbashkët duhet të marrë rrugë edhe është një ide që do të stimulohet nga kjo që po ndodh sot. Nuk po krijohet një ligë mes një fuqie të madhe dhe një të vogël, por një ligë mes dy vendeve që kanë çfarë marrin nga njëri-tjetri. Aktiviteti do të jetë i afërt për publikun përmes ekraneve të TV”. /abcnews.al