Covid në burgun e Drenovës, i moshuari frikë për shëndetin e nipit: Kam 4 muaj që nuk e kam parë

schedule12:09 - 10 Shtator, 2020

schedule 12:09 - 10 Shtator, 2020

10 të dënuar në Burgun e Drenovës kanë rezultuar të infektuar me koronavirus ndërsa 2 prej tyre kanë humbur jetën.

Një 74-vjeçar dhe një 47-vjeçar të cilët kanë qenë shokë qelie, besohet se i moshuari të jetë burimi i përhapjes së koronavirusit në këtë institucion por ndoshta edhe në spitalin e Korçës pasi sipas raportimeve i moshuari është transportuar fillimisht në spitalin Korçës dhe më pas tek “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Ndërkaq Institucioni i është nënshtruar dezinfektimit dhe shtimit të masave për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.

Që prej fillimit të pandemisë familjarët janë ndaluar të kryejnë takime fizike me të afërmit e tyre në ambientet e burgut, ata janë lejuar të flasin vetëm online, përmes skype-s.

Kështu ka ndodhur edhe me Dhimitraq Janin, i cili ka nipin që vuan dënimin në burgun e Drenovës.

I shqetësuar nga lajmet që ka dëgjuar në media, Jani është paraqitur këtë mëngjes në ambientet e burgut për të mësuar më shumë për të afërmin e tij për të cilin shprehet se ka 4 muaj pa e parë.

“Kam ardhur për nipin, ka hyrë brenda për një çështje sherri, plagosi me thikë dikë. Sot erdha për ta takuar por nuk më lanë të futem, nuk i dija rregullat. Më ka marrë malli për të kam 4 muaj që se kam parë. Më thanë që të flas në skype, po ku di unë. Unë jam 85 vjeç. Këtu erdha se i solla ca gjëra nipit. Nuk vij dot ta takoj. Frikë kemi shumë por ishallah nuk ndodh gjë, ndaj erdha ta takoj”, shprehet ai për mikrofonin e ABC News me gazetaren Ledjona Xheladinaj.

Jani tregon se nipi është dënuar pasi ka kryer një plagosje.

Në fakt nipi 20-vjeçar, i 85-vjeçarit, ka plagosur me thikë në maj të këtij viti, tezen dhe bashkëshortin e saj, pas një konflikti në banesën e tyre.

N.D./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!