Ashpërsohen penalitetet për ndërtuesit dhe projektuesit, 7-15 vite burg për ndërtimet pa standarde

schedule16:47 - 9 Shtator, 2020

schedule 16:47 - 9 Shtator, 2020

Nga Erblina Mile

Ashpërsohen penalitetet për moszbatim të projekteve në ndërtim që më pas shkaktojnë shëmbje të tyre.

Në draft parashikohet ndëshkimi 7 deri në 15 vite burg për personat që ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në konstruksionin e ndërtesave dhe shkaktojnë pasoja të rënda për jetën dhe  shëndetin e qytetarëve.

Ashtu siç kishte paralajmëruar qeveria Rama në nisje të këtij sesioni parlamentar ka dorëzuar në Kuvend një draft që parashikon  forcim të penaliteteve për shkelësit. Sipas relacionit këto ndryshime penale erdhën pasi tërmeti i  26 nëntorit të vitit të kaluar nxori në pah mungesën e legjislacionit për këtë çështje.

Në këtë mënyrë në Kodin Penal  ndër të tjera është parashikuar që në rast se projektimi, mbikëqyrja, zbatimi ose kolaudimi i paligjshëm i ndërtimeve në kundërshtim me ligjin, nga persona ndaj të cilëve janë marrë më parë masa administrative për këto shkelje, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet.

Po ashtu  parashikohet përkatësisht se nëse nga vepra penale kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet, ndërsa kur janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, sanksioni penal rritet nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet.

Nëpërmjet këtij projektligji synohet të përcaktohen sanksione penale kundrejt subjekteve që në veprimtarinë e tyre nuk kanë përmbushur apo kanë shmangur me dashje detyrimet ligjore të përcaktuara në akte të posaçme që i përkasin fushës së ndërtimeve private dhe publike. /abcnews.al