Moment i vështirë për Nicolo Zaniolo. Mesfushori italian pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen Holandë-Itali, duke këputur ligamentin e gjurit të majtë. Ditën e nesërme do të kryejë operacionin dhe pritet të qëndrojë 6 muaj jashtë.
21-vjeçari i Romës pësoi të njëjtin lëndim në gjurin e djathtë në muajin janar dhe sapo ishte rikuperuar nga dëmtimi i rëndë. Gjendja psikologjike është e rënduar, diçka që e konfirmon babai i tij në një prononcim për Gazzetta dello Sport.
“Nicolo ndodhet në një gjendje shumë të keqe, i kalojnë mendime të këqija në kokë. Situatë e kuptueshme, është vetëm 21 vjeç dhe ka frikë se mos nuk do të kthehet dot lojtari që ishte.
Ka punuar shumë mirë me Romën dhe kombëtaren, mendoj se bëhet fjalë vetëm për fat të keq, pasi nuk është se u lëndua nga ndonjë kundërshtar. Ndjeu dhimbje në gju dhe u ndalua.
Edhe unë jam pak i shqetësuar, ditët e para janë më të vështirat dhe shpresoj ta marrë disi veten me kalimin e kohës. Psikologjikisht është më keq se në janar. Ka rëndësi të madhe të rikuperohet në aspektin mental.
Shumë lojtarë i kanë dërguar mesazhe inkurajuese, duke filluar nga Luka Modric, Eric Lamela, Miralem Pjanic. Të njëjtën gjë kanë bërë edhe trajnerët Fonseca dhe Mancini“, përfundon Igor Zaniolo, babai i lojtarit italian. /abcnews.al