Laçi eliminoi Kesla në raundin e parë të Europa League dhe goglat i rezervuan Hapoel Beer Sheva në turin pasardhës. Bardhezinjtë do të presin rivalët nga Izraeli në “Elbasan Arena” në datë 17 shtator dhe po punojnë fort për të siguruar kualifikimin e radhës.
Edhe pse kanë bërë një merkato cilësore, drejtuesit nuk ndalen. Kurbinasit kanë kërkuar ndihmë nga IPKO Superliga e Kosovës, konkretisht nga Ballkani. Mediat dardane raportojnë se është tentuar huazimi i Arbër Potokut dhe Meriton Korenicës për sfidën evropiane.
I pari luan në krahun e majtë të mbrojtjes dhe ka zhvilluar një sezon fantastik, ndërsa Korenica la Prishtinën muajin e kaluar për të vijuar karrierën në Suharekë. 23-vjeçari ofensiv është një ndër lojtarët më të mirë të kampionatit dhe sezonin e kaluar shënoi 9 gola me bardhekaltrit.
Ballkani ka refuzuar kërkesën e Laçit, pasi nuk dëshiron të rrezikojë në prag të sezonit të ri, teksa Potoku ka një lëndim të vogël nga i cili nuk është rikuperuar plotësisht.
Skënderbeu ka kryer një tjetër afrim pas Ditmir Bicajt dhe Harallamb Qaqit. Klubi korçar ka siguruar shërbimet e Arinaldo Rrapajt, ish-lojtarit të Flamurtarit. 19-vjeçari ofensiv ishte një nga zbulimet më të bukura të sezonit të kaluar.
Ai i është bashkuar ekipit të Ahmatajt në stërvitje ditën e djeshme. Për të interesohej edhe Partizani, por merkato e “Demave” është bllokuar, kështu që Rapaj zgjodhi Skënderbeun për të vazhduar karrierën. /abcnews.al