Nga Juxhin Mustafaraj
I mandatuari i Partisë Demokratike në tryezën e Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi ka marrë besimin e opozitës së bashkuar për tu rikthyer në Kuvend për të qenë pjesë e procesit të zgjedhjes së anëtarëve të rinj të KQZ-së.
Në një intervistë për ABC NEWS, Bylykbashi flet për një urgjencë që ka lidhur me përkthimin e ndryshimeve kushtetuese të korrikut sa i takon hapjes së listave por edhe ndarjes së mandateve parlamentare.
“Ne do të shprehim shqetësimin, që Këshilli Politik…pra i gjithë procesi zvarritet. Sot është data 8 dhe procesi nuk ka filluar ende. Kjo është e paprecedentë që të ndryshohet procesi zgjedhor dhe rregullat themelore në të gare zgjedhore, në një kohë kaq të shkurtër, çdo vonesë që po i bëjnë procesit të reformatimit të Kodit Zgjedhor dhe përgatitjeve të zgjedhjeve”, deklaron Bylykbashi.
Për ekspertin zgjedhor të demokratëve, ndryshimet kushtetuese nuk e prishin formulën aktuale të ndërtimit të koalicioneve.
“Heqja nga Kushtetuta nuk pengon në mënyrë absolute që koalicionet të qëndrojnë kështu siç janë sot dhe një rregull i gjithë pranuar është që këto rregulla loje ndryshojnë me konsensus”, shprehet ai.
Në prag të çdo procesi zgjedhor ka edhe një rishikim të shpërndarjes së mandateve në raport me numrin e popullsisë, por a do të zhvendoset në Tiranë e gjithë beteja për zgjedhjet e ardhshme?
“Është e nevojshme që të rishikohet numri i mandateve. Por ka një mungesë transparence totale për mënyrën si do të përllogaritet. Ministria e Brendshme është krejt e mbyllur”, thekson Bylykbashi.
Opozita është në pritje të mbledhjes së Këshillit Politik për të përcaktuar ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor për tu angazhuar më pas në organizimin e fushatës së zgjedhjeve të 25 prillit 2021. /abcnews.al

