Konfirmohet data e Lojërave Olimpike të Tokios: Zhvillohen me ose pa COVID

schedule09:13 - 7 Shtator, 2020

schedule 09:13 - 7 Shtator, 2020

“Lojërat që mposhtën Covid-in”, kështu i quan John Coates, nënkryetari i Komitetit Olimpik Botëror Lojërat Olimpike të Tokios, që u shtynë për shkak të pandemisë dhe do të nisin më 23 korrik të vitit 2021. Coates, mes të tjerash për AFP është shprehur:

“Lojërat Olimpike do të zhvillohen me ose pa COVID. Ato nisin me 23 korrik të vitit të ardhshëm. Lojërat do të quheshin Lojërat e Rindërtimit pas shkatërrimeve të tsunamit (në vitin 2011 një tsunami i fortë goditi Japoninë Verilindore). Tani më shumë këto do të jenë Lojërat që mundën Covid-in, drita në fund të tunelit”, shprehet Coates.

Problem është fakti që tani Japonia i ka mbyllur kufijtë dhe pikëpyetjet mund të jenë të shumta për zhvillimin e Lojërave Olimpike. Entuziazmi ka rënë dhe këtë e kanë reaguar edhe sondazhet e bëra në vendin aziatik, ku ka shumë njerëz që mendojnë se duhen anuluar.

“Detyra jonë është që të shohim të gjitha masat që do të merren për t’u zhvilluar Lojërat Olimpike. Disa vende do ta kenë nën kontroll Covid-19, të tjera jo. Janë 206 skuadra dhe do të ketë shumë detyra për palën japoneze”, përfundon Coates.

Japonia e ka vuajtur shtyrjen e Lojërave Olimpike edhe në aspektin financiar dhe IOC (Komitetit Olimpik Botëror) nuk mund të rrinte duarkryq. Coates ka zbuluar se rreth 800 milion dollarë janë akorduar për të mbështetur federatat ndërkombëtare dhe Komitetet Olimpike Kombëtare, për shkak se të ardhurat nuk i kanë si vitet e mëparshme. / s.b /abcnews.al/

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!