Kërcënimet nga një i burgosur shqiptar drejtuar Drejtorit të burgut të Korfuzit dhe informacioni që kishin shërbimet informative për drogë dhe armë brenda qelive, duket se kanë përshpejtuar hetimet në këtë IEVP.
Sipas mediave greke, ka qenë një shqiptar i dënuar për krime të rënda, i cili ka kërcënuar Drejtorin e Burgjeve, duke i thënë se “këtu do të derdhet gjak”.
Kështu që mbrëmë, Drejtori i Policisë së Korfuzit organizoi operacionin në dy pavijone të burgut të sigurisë së lartë, ku mbahen 8 të dënuar shqiptarë, që konsiderohen si tepër të rrezikshëm.
LEXO edhe: VIDEO/ Parandalohet përpjekja masive e shqiptarëve për arratisje nga burgu i Korfuzit
Shqiptarët dyshohet se kishin organizuar arratisjen në 15 gusht, ndërkohë që u diktuan nga oficerët e burgut të cilët parandaluan arratisjen në momentin e fundit.
Kreu i këtij grupi është pikërisht shqiptari që kërcënoi drejtorin e burgjeve, ndërsa pjesë është edhe i akuzuari si autor i vrasjes së avokatit Michalis Zafeiropulos, Ibrahim Brahimi, i cili edhe më herët ka tentuar të arratisej.
Ajo që grupi hetimor po heton, është se si dy pistoletat, plumbat dhe silenciatori, u futën në IEVP, dhe pse oficerët e burgjeve nuk e kuptuan që autorët ishin duke fshehur armët në ambiente publike, shumë të frekuentuara, ku ka kamera sigurie.
Autoritetet greke kanë marrë nën hetim edhe oficerë të burgut të cilët mendohet se i kanë dhënë ndihmë shqiptarëve.
Pistoleta, thika të improvizuara, drogë dhe celularë u gjetën nga policia në një kontroll të kryer në dy pavijone të burgut të Korfuzit, në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme.
Armët dhe sendet e tjera ishin të fshehura brenda në muret e korridoreve të burgut të sigurisë së lartë në Korfuz.
N.D./abcnews.al