Përherë e më tepër, lezhjanët janë të interesuar pas kulinarisë, kryesisht asaj tradiconale. Për këtë organizohen dhe festivalë apo konkurse që për më tepër kanë qëllim të tërheqin kureshtarët dhe të informojnë vizitorët e turistët për gatimet në këtë vend turistik.
Në Lezhë, kuzhinierë dhe restorante u vunë në garë për të tërhequr vëmendjen e publikut. Prodhimet e zonës nga deti në mal zunë vend në pjatat e prezantuara. Lezhjanët shpalosën menunë e tyre tradicionale, por edhe krijimet e eksploruesve në kuzhinë.
Pasi kanë vënë në dispozicion pasionin e tyre, kuzhinierët lezhjanë janë të bindur se frekuentimi do të jetë gjithnjë në rritje nga vizitotët dhe turistët. Kjo, sipas tyre, ka nisur të ndodhë.
Kureshtaret apo edhe ata që janë të bindur se kuzhina në Lezhë është mjaft interesante u bënë protagonistë të kësaj ngjarjeje. Dëshira për të shijuar çdo pjatë të prezantuar ishte e pashmangshme. Sigurisht kjo ishte një mundësi për të njohur edhe vetë restorantet nga afër. Për të degustuar shijen e gatimeve të Lezhës kanë udhëtuar enkas drejt këtij qyteti edhe vizitorë nga kryeqyteti.
Kudo në sheshin kryesor të Lezhës shihje kuzhiniere që shfaqnin performancat e tyre. Përzgjedhjet ishin të ndryshme. Nga një stendë në tjetrën gjithçka ishte krejt e veçantë, ashtu siç pretendon të jetë kuzhina kulinare e Lezhës. Nuk mungoi edhe prezantimi i kulturës. Veshtjet tradicionale u bënë pjesë e prezantimit të kulinarisë në Lezhë. /abcnews.al