Shqipëria zhvillon nesër në mbrëmje (20:45) ndeshjen e dytë në Nations League. Në “Air Albania” zbarkon Lituania dhe kuqezinjtë e Edi Rejës do të tentojnë fitoren e dytë pas asaj 0-2 në Minsk përballë Bjellorusisë.
Kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj ka dalë në konferencën për shtypin përkrah trajneri italian. Shkodrani analizon sfidën ndaj lituanezëve, tregon objektivin e skuadrës, flet për skemën 3-5-2, teksa nuk mungon një koment për Napolin.
“Është pak e vështirë në aspektin fizik, pasi kemi pak ndeshje që kemi luajtur. Po mundohemi të rikuperohemi dhe të jemi në 100% për këtë ndeshje. Kemi parë ca video të Lituanisë, kemi parë që janë një ekip që i pëlqen të luajë topin.
Duhet të kemi kujdes në mbrojtje. Ata me sulmuesit që ngrihen shumë, do të na lënë hapësira për të sulmuar. Skema 3-5-2 e Rejës nuk më përshtatet? Është një rol i ri për mua, jam mësuar të luaj me 4 në mbrojtje, por po më pëlqen. Më jep mundësinë të shkoj më para dhe t’i ofrohem golit.
Po mundohem të sistemoj ca gjëra që më ka kërkuar trajneri, jam i kënaqur me rolin e ri. Napoli? Karriera ime është në lulëzim. Jam 26 vjeç, nuk kam asnjë problem me Napolin. Kam pritur gjëra e mia, Napoli është bërë si shtëpia ime e dytë, shpresoj të rinovoj dhe të qëndroj edhe për shumë kohë.
Unë kam shumë qejf që të shënoj. Ka filluar të më pëlqejë goli, ky modul më jep mundësinë të jem edhe më afër portës. Shpresoj që nesër të shënoj ndaj Lituanisë“, deklaron Elseid Hysaj. /abcnews.al