Bonaventura vendos, Miranchuk: Të gjithë të dashuruar me Atalantën, këtu për tituj

schedule17:57 - 5 Shtator, 2020

schedule 17:57 - 5 Shtator, 2020

Jack Bonaventura do të vazhdojë karrierën te Fiorentina. Mesfushori italian ishte pjesë e Milanit në gjashtë sezonet e fundit, por drejtuesit e kuqezinjve vendosën të mos i dhuronin një kontratë të re.

31-vjeçari arriti akordin me klubin nga Firence, do të firmosë një kontratë 2-vjeçare dhe do të përfitojë një rrogë prej 1.7 milion eurosh+bonuset. Benevento e Pippo Inzaghit i ofroi më shumë para, por Bonaventura, i cili do të prezantohet nesër si lojtari më i ri i Fiorentinës, zgjodhi këta të fundit.

Atalanta veproi shpejt dhe siguroi shërbimet e Aleksey Miranchuk. 14.5 milion euro paguan drejtuesit e klubit italian në arkat e Lokomotivës së Moskës, teksa 24-vjeçari i kombëtares ruse firmosi një kontratë 4-vjeçare.

Mesfushori ofensiv, i cili kishte shumë oferta, ka folur për kanalin zyrtar të bergamaskëve, duke thurur elozhe për ekipin e ri dhe duke zbuluar objektivat e mëdha.

Atalanta është një prej skuadrave më të mira dhe interesante në Evropë. Të gjithë e njohin këtë ekip, jam i lumtur që do të luaj këtu. Dua të bëhem pjesë integrale e Atalantës dhe dua të fitoj tituj.

I kam ndjekur paraqitjet në Champions, kompeticion ku shkoi larg. Të gjithë janë dashuruar me stilin sulmues të Atalantës, është kënaqësi të shohësh duke luajtur këtë skuadër.

Është një ëndërr që do të luaj në Itali, Serie A është plot me lojtarë të mëdhenj dhe jam gati të jap maksimumin për Atalantën. Bergamo më pëlqen, dua të ambientohem sa më shpejt dhe do më ndihmojnë këshillat e trajnerit Gasperini“, përfundon Miranchuk. /abcnews.al