Biden takohet me familjen e Blake, afro-amerikanit që u plagos nga policia

schedule09:09 - 4 Shtator, 2020

schedule 09:09 - 4 Shtator, 2020

Joe Biden dhe gruaja e tij Jill takuan familjen e Jacob Blake, afro-amerikanit i cili u plagos nga polica dhe mbeti i paralizuar. Menjëherë pasi Biden dhe gruaja e tij, Jill, mbërritën në Wisconsin, ata patën një takim prej 90-minutash me familjen e Blake.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Milwaukee Mitchell, ata u takuan me babanë e Blake Jacob Blake Sr., motrën Letetra Widman, vëllain Myron Jackson, motrën Zietha Blake dhe nënën Julia Jackson. Të pranishëm në takim ishin edhe anëtarët e ekipit ligjor të Blake, Ben Crump, Patrick Salvi dhe B’Ivory LaMarr.

Nëna e tij tha se ishte e lumtur që djali i saj kishte shpëtuar dhe se lutej çdo ditë për të. Blake iu bashkua gjithashtu bisedës së familjarëve të tij më Biden nëpërmjet telefonit. Ai tha se dhuna e ushtruar nga policia ka qenë e vazhdueshme në SHBA dhe se kjo gjë duhej të merrte fund.

Biden vizitoi vendin, dy ditë pasi  Donald Trump udhëtoi në Kenosha për të parë nga afër ndërtesat e djegura dhe të dëmtuara nga protestat që u kthyen në përplasje vdekjeprurëse. Dy protestues u qëlluan dhe u vranë, dhe policia akuzoi 17 vjeçarin Kyle Rittenhouse.

Vizita e  Biden në shtetin Uiskonsin ishte e para nga një kandidat demokrat për president që nga viti 2012.  Kandidati Biden këtë javë akuzoi Presidentin Trump për mbështetje ndaj kaosit dhe dhunës.

Biden tha në konferencën për  shtyp se “djegia dhe plaçkita është e gabuar, dhe çdokush duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta.”/s.ba.abcnews.al