Nga lapidarët e Kosovës, aktori dhe shkrimtari Çun Lajci, ka zbritur në Tiranë në sheshin “Skenderbej” për të promovuar librin “Bastardët”.
“Pse te lapidarët? Sepse tema për të cilën unë flas janë shokët e tyre. Shokët e tyre që janë në dhe, kanë pasur ideale të tjera që besoj i kanë pasur edhe këta deri në 2000”, u shpreh ai.
Bastardët e këtij libri janë krerët politik, të cilët sipas tij po shqyejnë vendin.
“Bastardët” për mua janë të gjithë ata që punojnë keq për Atdheun. Fatkeqësisht u bie të jenë krerët e Atdheut që në fakt janë ata që kanë ardhur me ideale të jashtëzakonshme lufte. Për të ndërtuar një shtet, një Zvicër të dytë. Ne çfarë bëmë. Kopjuam Tiranën zyrtare, kopjuam të këqijat e juaja më të zeza dhe përtej tunelit i vendosëm në Prishtinë”, tha Lajçi.
Në kopertinë ai ka zgjedhur maskat, meqë jetojmë në kohë pandemie.
“Kanë qenë për një kohë të gjatë në teatër, maskat. Me duket shumë e keqe që njeriu që deri dje më ka shitur moral politik, shoqëror, intelektualizëm dhe tani ndërron pampersa, ndërsa del e më flet para mikrofonit e thotë, – “unë jam kryetar shteti”, shprehet ai.
Si pasionant i rrënjëve dhe rapsodive, sharkinë nuk e ndanë prej vetës.
“Këtë vegël e kam që nga viti 1969 dhe kurrë nuk jam ndarë prej sharkisë. Kurrë nuk jam ndarë prej lahutës, akoma e ruaj lahutën e 1924 që është punuar në shpellën e Bajram Currit”, tregon ai.
I bindur është se Thaçi, Haradinaj e shumë politikanë të tjerë të cilët janë pjesë e shkrimeve të tij, librin e lexojnë fshehurazi, madje ka pasur raste që edhe kanë reflektuar.
Vëmendja e kalimtareve, ishte e madhe dhe shumë prej tyre blenë librin “Bastardet” e Çun Lajçi./abcnews.al/