Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një natë më parë në fshatin Llapqevë të Malishevës në Kosovë, ku një 61 vjeçar ka plagosur me me armë djalin e tij dhe më pas i ka marrë peng anëtarët tjerë të familjes për disa orë.
Në një prononcim për mediat vendase zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka thënë se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 22:40, ku sipas tij të gjitha njësitet policore bashkë me ekipin e emergjencës së Qendrës Klinike Mjekësorë Familjare (QKMF), në Malishevë kanë dal në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 22:40 policia është njoftuar përmes numrit emergjent për një rast plagosje në fshatin Llapqevë në Malishevë. Njësitet policore bashkë me ekipin e emergjencës së QKMF’së në Malishevë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe sipas informatave të para, prindi ka plagosur me armë zjarri djalin e tij dhe ka marrë peng anëtarët tjerë të familjes. I dyshuari N.H 61 vjeç pas arrestimit ka rezultuar nën ndikim të alkoolit. I njëjti me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërsa vepra penale e dyshuar është cilësuar si ‘vrasje në tentativë’”, tha Graishta.
Ndër të tjera mësohet se 26-vjeçar i plagosur është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.e.s./abcnews.al