Donald Trump dhe Kim Jong-un do të takohen në 12 Qershor në Singapor. Ndonëse jo të gjitha detajet e takimit janë zbardhur, mësohet se në fokus të tij do të jetë çështja bërthamore koreane dhe heqja e sanksioneve amerikane.
Donald Trump do të takohet me liderin koreano-verior Kim Jong-un më 12 Qershor në Singapor. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili është shprehur optimist për arritjen e një rezultati.
“Mendoj se kemi me të vërtetë shanse serioze që të arrijmë diçka të dobishme”, ka thënë Trump.
Reagimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë vjen pas vizitës së zhvilluar ditët e fundit në Penian të sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, që caktoi dhe detajet e takimit. Gjithashtu, në shenjë të vullnetit të mirë, gjatë kësaj vizite regjimi i Penianit mundësoi lirimin e tre të dënuarve amerikanë, që kanë mbërritur në Uashington dhe janë pritur nga Presidenti Trump.
Singapori është përdorur edhe më parë për takime të profilit të lartë. Në vitin 2015, liderët e Kinës dhe Taivanit zhvilluan një takim historik, i pari pas më shumë se 60 vjetësh. Gjithashtu, qyteti-shtet ka një marrëdhënie të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe mban raporte diplomatike me Korenë e Veriut.
Në tryezën e përbashkët me Kim, Trump pritet të ngrejë çështjen e arsenalit bërthamor të vendit të izoluar dhe kërkesën për asgjësimin e tij. Ndërsa pala koreane, që po i mban sekret detajet, pritet ta vërë theksin tek prania e 30 mijë ushtarëve amerikanë në Korenë e Jugut dhe tek heqja e sanksioneve.
Në fillim të vitit, Presidenti Trump pranoi kërkesën e Kim për një takim kokë më kokë. Gatishmëria e tij i kapi të gjithë papërgatitur, pasi më parë dy liderët kishin shkëmbyer një sërë sharjesh e ofendimesh të rënda./abcnews.al

