Analistë amerikanë paralajmërojnë diskutime për “Trepçën” e Gazivodën në Uashington

schedule23:37 - 2 Shtator, 2020

schedule 23:37 - 2 Shtator, 2020

Marrëveshja për hekurudhat, linjën ajrore dhe autostradën që lidh Kosovën me Serbinë- janë temat me të cilat do të nisin takimet në Shtëpinë e Bardhë, nën ndërmjetësimin e emisarit amerikan, Richard Grenell.

Përgatitjet e delegacionit të Kosovës janë bërë rreth këtyre temave, ku pritet të prezantohen projektet me qëllim finalizimin e letrave të interesit, që ishin arritur në shkurt të këtij viti në Gjermani.

Njohja e ndërsjellë, të cilën e ka proklamuar kryeministri Hoti në vazhdimësi, nuk është në agjendë, megjithëse nuk është përjashtuar mundësia që kjo të shtrohet për diskutim në takimin e së premtes nëse pajtohen të dyja palët.

Njohësi amerikan i çështjes së Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se me diskutimet për linja ajrore e hekurudhore janë vendosur pritje të vogla që arrihet te diçka e madhe.

“Nuk e di se çfarë mund të jetë, por përmendet një zgjidhje speciale ekonomike rreth brezit kufitar mes dy vendeve. Pra mund të ketë diskutime për “Trepçën” e Gazivodën. Por këto duket vështirë të realizohen për shkak se implikojnë çështje të sovranitetit”,ka thënë Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.

Profesori amerikan ka shtuar se Serbia nuk është gati të diskutojë për statusin e Kosovës, prandaj njohja e ndërsjellë vështirë se mund të shtrohet në tryezën e negociatave. Sa i përket mundësisë që palët të rrëshqasin në diskutime për territore, ai ka thënë se ky rrezik ekziston.

“Kjo është ide e keqe që gjithmonë kthehet, edhe pse mendohet se ka vdekur. Do të isha plotësisht i befasuar nëse kjo ide shfaqet sërish në Washington, pasi Hoti e ka bërë të qartë se nuk ka diskutime të tilla. Ajo çfarë mbetet të shihet është nëse ai do të jetë i gatshëm të arrijë marrëveshje për ‘Trepçën’ ose Gazivodën, apo të dyja, sepse serbët duan një pjesë të ‘Trepçës’, ndërkaq Kosova ta kontrollojë Gazivodën. Mund të ketë lëvizje në këtë drejtim”, – ka shtuar Serwer.

Sipas Serwerit, emisari Grenell dëshiron një marrëveshje të cilën presidenti Trump do ta prezantojë si trofe diplomatik para zgjedhjeve presidenciale në ShBA.

Këshilltari i lartë i presidentit Trump, i përfshirë në këto negociata, ka thënë të martën se ato çfarë synojnë janë marrëveshje të balancuara.

“Palët do të nënshkruajnë diçka që ata mendojnë se është e drejtë dhe mbase unë do të përdorja fjalën “e ekuilibruar”. Pra, nëse palët besojnë se është e ekuilibruar, nëse palët besojnë se po marrin diçka dhe se po marrin më shumë se nga ato që po heqin dorë dhe ata mendojnë se është një marrëveshje e mirë, atëherë ata do ta nënshkruanin. Ne nuk kemi një marrëveshje të fshehtë. Ne nuk kemi ndonjë kërkesë”, – ka thënë këshilltari i lartë i presidentit Trump.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se shpreson që nga takimi në Washington do të ketë lajme pozitive.

Por politikën që zhvillohet në Prishtinë dhe Beograd, zyrtari i lartë amerikan e ka kualifikuar si të dështuar, teksa ka argumentuar se kjo është ndër arsyet se pse ka zgjedhur temat ekonomike dhe bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, nëpërmjet të cilit synohet që palët të arrijnë pajtimin. /Koha.net/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!