Juan Sobrino, punonjës i një biblioteke në Madrid ka ndërmarrë një nismë të veçantë për t’ju ardhur në ndihmë të moshuarve, kryesisht në këtë kohë pandemie. Së bashku me disa vullnetarë të tjerë, Sobrino iu lexon histori të moshuarve nëpërmjet telefonit një herë në javë, si një mënyrë për të lehtësuar vetminë e tyre, sipas El Pais.
Gjatë pandemisë, të moshuarit e përjetuan izolimin në maksimum dhe madje edhe tashmë që masat janë lehtësuar, ata shpesh ende jetojnë në vetmi. Për këtë shkak, biblioteka Soto del Real ka vendosur në dispozicion këtë shërbim nëpërmjet telefonit, shkruan abcnews.al.
Ky projekt kishte nisur para pandemisë, por me situatën e krijuar nga virusi është bërë më e nevojshme se kurrë më parë. ” Biblioterapi për të moshuarit ” u krijua në 2013 dhe çdo muaj ofron vullnetarë për të moshuarit ku lexohen poezi, fabula, gjëegjëza, histori, por gjithashtu këndohet nën shoqërimin e një kitare.
Por për shkak të pandemisë, në vend që të shkojnë në banesa një herë në muaj, vullnetarët u lexojnë të moshuarve me telefon dhe tekstet personalizohen, sipas preferencave të gjithsecilit. Seancat e leximit mund të zgjasin 20 minuta, por priren të jenë më të gjata nëse dëgjuesi është veçanërisht i interesuar. xh.d/abcnews.al/