Memphis Depay është lideri i Lyon dhe një nga pikat kyçe të Holandës. Sulmuesi i njohur realizoi 6 gola në Champions League sezonin e fundit, duke ndihmuar ekipin francez të arrijë në gjysmëfinalet e kompeticionit më të rëndësishëm për klube.
Barcelona, PSG dhe Inter janë të interesuara për shërbimet e tij, teksa ka edhe një vit kontratë me Lyon. 26-vjeçari, i cili shënoi tri herë në fitoren 4-1 të Lyon kundër Dijon në Ligue 1, ka dhënë një prononcim për holandezen NOS, duke u ndalur te situata e tij, e ardhmja dhe largimi i Roland Koeman nga kombëtarja tulipane drejt stolit të Barcelonës.
“Kurrë nuk kam thënë që dua të largohem nga Lyon. Shpeshherë shtrembërohen gjërat që them. Kam edhe një vit kontratë këtu, jam kapiteni dhe kemi realisht një skuadër shumë të mirë.
E kemi shfaqur kualitetin që kemi. Ndihem mirë, por kam edhe unë ëndrrat e mia. Shënova tri herë në ndeshjen e parë të kampionatit, nisje perfekte por pres edhe më shumë nga vetja.
Largimi i Koeman te Barcelona? Nuk e shoh si një braktisje veprimin e tij. Ai ka lënë pas një punë të mirë të bërë te kombëtarja, ne thjesht duhet të vazhdojmë përpara. Po presim trajnerin e ri, por grupi i lojtarëve duhet të marrë përsipër përgjegjësi“, theksoi Depay. /abcnews.al