Pas 10 vite zvarritje për regjistrimin e Eposit të Kreshnikëve në UNESCO, sipas anëtarit të grupit të punës studiuesit Shaban Sinani dorëzimi i dosjes dhe kërkesa për regjistrim do të bëhet nga Shqipëria, pasi kjo është forma e vetme qe kjo dukuri të njihet ndërkombëtarisht.
“Besoj se ajo çfarë mund të quhet më e mira për “Eposin” në këtë periudhë është transferimi i nismës nga institucionet e Kosovës në qeverinë e Shqipërisë e cila ka më shumë mundësi diplomatike të përcjellë dosjen e Eposit tashmë të zvarritur për një kohë të gjatë që të regjistrohet si një prej pasurive shtetërore më të rëndësishme, jo vetëm të popullit shqiptar, por të rajonit. Duhet ta themi se nëse aplikimi do të ishte bërë nga qeveria e Shqipëri tashme do të ishte regjistruar në programet e UNESCOS”, u shpreh ai.
Sinani thotë se duke ndryshuar forma e të aplikuarit, ndryshon edhe përmbajtja e dosjes.
“Kam bindjen se ne duhet të ndërrojmë listë në rastin e Eposit. Lista më e afërt do të jetë lista e trashëgimive të rëndësishme shpirtërore të rrezikuara”, u shpreh ai.Ndërkohë që shansin më të madh për aplikim, brenda vitit 2022 mund ta ketë kërcimi i Tropojës.
“Të paktën grupi i punës së kërcimit të Tropojës është mbledhur dy herë. Është parashikuar që deri në fund të vitit 2021 të ketë mbaruar përurimi i brendshëm si pasuri”, tha më tej ai.
Eposi i Kreshnikëve më herët është vlerësuar me çmimin “Europa Nostra”./abcnews.al/