Mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, bëri një ndeshje fantastike kundër Beitar Jerusalem, në atë fitore të pastër 2-0 të “Djemve të Detit” në UEFA Europa League. Së bashku me Renato Arapin, Hoxha ka formuar një ndër dyshet e qendrës më të mirë në futbollin shqiptar.
Sot, në vigjilje të sfidës kundër Tiranës për Superkupën e Shqipërisë, Hoxha ka folur për ABC Neës, ku ka treguar situatën e ekipit para sfidës ndaj bardhebluve, duelin që do të ketë me sulmuesin e talentuar Muçi dhe objektivat e skuadrës durrsake për sezonin e ri.
– Fillimisht, urime për fitoren e madhe ndaj Beitar. Tani, sytë nga Tirana, që do keni përballë në Superkupën e Shqipërisë. Sa optimiste është Teuta në vigjilje të këtij takimi?
“Faleminderit për urimin. Gjej edhe unë rastin të uroj të gjitha ekipet shqiptare për kualifikimet e tyre në turin e dytë të UEFA Europa League. Uroj që të ecin sa më shumë. Kundër Tiranës do të jetë një ndeshje e vështirë, të dyja ekipet e kanë përgatitur maksimalisht këtë ndeshje, pasi është një trofe në lojë, të cilin ne synojmë ta fitojmë. Çfarë do të ndodhë, do ia lëmë lojës, fatit”.
– Me shumë gjasa në sulmin e Tiranës, do të jetë i riu Muçi, një profil shumë ndryshe nga Ngoo. Si e sheh përplasjen me talentin bardheblu?
“Me të vërtetë, janë dy lojtarë komplet të ndryshëm. Me Ngoo, nuk kam hasur probleme, ndërsa Muçin e shoh si një lojtar me shumë talent, që besoj se do të ketë një të ardhme të ndritur përpara. I uroj fat në të ardhmen, por pas ndeshjes me ne”.
– Sfida e nesërme është një mundësi shumë e mirë që ta nisni sezonin me trofe, ndoshta jo trofeu i vetëm të cilin Teuta synon. Mund të themi se Teuta është për titull në edicionin 2020/21?
“Fitimi i Superkupës do të ishte një gjë e mirë për vazhdimin e sezonit të ri, sepse do e nisnim me entuziazëm pozitiv. Gjë e mirë është se është ruajtur 90% e skuadrës. Me 2-3 përforcime, mund të bëhemi ekip pretedent për fitimin e kampionatit. Tani të shohim për përforcimet që mund të na vijnë”, u shpreh Hoxha.
Veronik Istrefaj, ABC News