Tirana ka pasur besim në suksesin në kupat e Europës, dhe është e bindur se mund të arrijë në fazën e grupeve. Trajneri Emanuel Egbo, në një intervistë ekskluzive për Abc News, flet për aventurën europiane, suksesin e skuadrave shqiptare dhe mbrojtjen e titullit kampion.
Le ta themi që në fillim, se do të duhet kohë që të bëhemi. Flasim për kompleksin ku stërvitet Tirana, me 25 tituj në histori dhe kampione në fuqi e Shqipërisë, ndërsa dallimi në mentalitet me atë që quhet “e përparuar” duket qartë.
Gjithsesi, këto minuse nuk e ndaluan skuadrën e drejtuar nga trajneri Emanuel Egbo që të kalonte një tur në Champions, të ishte pranë kualifikimit edhe me Crvena Zvezdën, dhe të pretendojë më tej fazën e grupeve në Ligën e Europës.
Egbo, në intervistën për “Abc News”, së pari dëshiron të japë një përgjigje për ata që u zhgënjyen nga loja e ish-kampiones së Europës, Zvezdës. “Nuk është se Zvezda ka qenë dobët. Kam respekt për ata, pasi e qarkullojnë topin. Nuk është kollaj ta mbash më shumë se ata topin. Kjo është pozitive për ekipin tonë”.
Para dy vjetësh Tirana ra nga kategoria, titullin e fitoi pas 11 vjetësh, ndërsa tani kërkon fazën e grupeve. “Nuk dorëzohem kurrë. Një i varfër sot mund të bëhet i pasur, sepse i vendos gjërat te fati i Zotit. Ata që nuk besojnë në Zot nuk kanë shans ta kuptojnë atë që them unë. Duhet aftësi, duhet të punosh, të analizosh kundërshtarin”.
Egboja ka dëshirë ta theksojë përsëri shpjegimin e tij dhe shpreh besimin absolut në Europë. “Kam dëgjuar në televizion, që një ekip që lufton për rënien nga kategoria nuk mund ta fitojë titullin. E kam thënë që çdo gjë është e mundur, mjafton të besosh. Këtë kemi bërë ne, nga i pari, nga punëtori i fushës e deri te presidenti. Besuam dhe e fituam titullin. Besuam që do shkojmë larg në Champions dhe kemi bërë atë lojë që bëmë”.
Tekniku mendon se Tirana ka meritë në suksesin edhe të ekipeve të tjerë shqiptare në kontinent. “Paraqitja qe ka bërë Tirana në dy ndeshje, mendoj se u ka dhënë besim ekipeve të tjera për të kaluar turet si ne. Edhe ajo që ka bërë Skënderbeu, i ka ndihmuar klubet tona. Nëse e ka bërë Skënderbeu, edhe ne kemi mundësi ta bëjmë”.
Tifozët e Tiranës duan sukses jo vetëm në Europë, por sidomos në Superligë. “Është diçka e mirë për kampionatin shqiptar që ekipet të kualifikohen. Edhe ne do bëhemi si vendet e tjera në Europë. Është diçka pozitive për kampionatin. Nëse të dhjetë ekipet shkojnë në atë nivel, atëherë do të bëhet një kampionat edhe më i fortë. Vjet ka qenë kampionati më i vështirë, që kur kam ardhur në Shqipëri, Deri në fund u diskutua çështja e titullit kampion”. /abcnews.al