Nga Erblina Mile
Kreditimi i ekonomisë në vend ka pësuar një rritje të lehtë gjatë korrikut. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë huaja e dhënë nga bankat e nivelit të dytë arriti vlerën e 591 miliardë lekëve, një miliardë lekë më shumë krahasuar me qershorin.
Por pavarësisht kësaj vlen të theksohet se bizneset po kërkojnë hua për kapital qarkullues i cili përdoret për shpenzime të përditshme ose për pagat e punonjësve. Kjo tregon vështirësitë me të cilat po përballet ekonomia shqiptare për shkak të pandemisë.
Shumë biznese nuk arritën që të përballojnë rënien e konsumit dhe kanë shpallur falimentin dhe shumë të tjera jetojnë për mbijetesë.
Po ashtu statistikat tregojnë se gjatë korrikut ka rënë ndjeshëm kredia për hapjen e bizneseve të reja si në monedhën kombëtare ashtu edhe në euro.
Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit nga një përllogaritje e regjistrimeve të reja të subjekteve rezulton se në krahasim me një vit më parë në pjesën e parë të vitit janë hapur 907 biznese më pak.
Ndryshe nga muajt paraardhës në vend ka pasur një përmirësim të kredisë për blerje të pasurive të paluajtshme.
Ndryshe nga qershori rritja e përgjithshme e kredisë ka qenë më e vogël pasi për qershor, kredia u rrit rreth 7.5 miliardë lekë, por kjo situatë u ndikua nga skemat e garancisë të cilat qeveria vuri në dispozicion për bizneset si dhe për shkak të shtyrjes së afatit për pagesën e kësteve të kredive.
Pasiguria për shkak të situatës së krijuar nga mbyllja e aktiviteti ekonomik ka bërë që bankat të aplikojnë standarde më të shtrënguara për kreditë Ashpërsimi i kritereve u ndikua veçanërisht nga perceptimi i bankave për rrezik të shtuar lidhur me situatën ekonomike dhe perspektivën për të, aftësinë paguese të kredimarrësit, si edhe me kolateralin.
/abcnews.al/