Kontrollorët e fluturimeve në Itali kanë hyrë në grevë të përgjithshme mëngjesin e të martës, duke bërë që të anulohen më shumë se 700 fluturime në të gjithë vendin. Ata kërkojnë rinovimin e kontratës kolektive, afati i së cilës ka skaduar në 31 Dhjetor të 2016-s.
Më shumë se 700 fluturime të anuluara, në të gjithë Italinë si pasojë e grevës së përgjithshme të kontrollorëve të fluturimeve. Enti kombëtar për aviacionin civil në Itali konfirmoi se greva ka nisur në orën 10:00 të mëngjesit së të martës dhe do të zgjasë deri në orën 18:00 të ditës së sotme. Nënpunësit, të cilët janë në grevë, kërkojnë rinovimin e kontratës kolektive kombëtare e cila ka skaduar në 31 Dhjetor të 2016-s.
Në aeroportin e Fiumicinos janë më shumë se 100 fluturimet e anuluara, mes të cilave dhe udhëtimet e programuara sot nga Tirana në Fiumicino, ai i orës 13:05 dhe ai i pasdites Tiranë-Romë i orës 17:10.
Por gjithashtu konfirmohen dhe fluturime të anuluara nga kompani të ndryshme ajrore që udhëtojnë sot nga Tirana drejt aeroporteve të ndryshme italiane. Ndërsa shoqëria ajrore “Alitalia” ka anuluar 23 fluturime kombëtare dhe ndërkombëtare, duke vendosur në funksion një plan të jashtëzakonshëm për të kufizuar dëmin për pasagjerët duke u riprenotuar biletat në fluturimet e para që do të kryhen.
Ndërsa shoqëria ajrore “Ryanar” u ka bërë të ditur pasagjerëve se mund të rimbursojnë biletat nëse do e dëshirojnë një gjë të tillë, se mund t’u ndryshohet prenotimi i biletës në një fluturim alternative. Shoqëritë e fluturimit që preken nga greva kanë publikuar në faqet e tyre në internet të dhënat dhe informacionet për fluturimet e anuluara si dhe për atë që do të ndodhë pas grevës.
Shoqëritë ajore këshillojnë klientët që sot udhëtojnë drejt Italisë të informohen parprakisht mbi fluturimin e tyre pranë agjencive përkatëse të udhëtimit./abcnews.al