Martini: Kemi 18 lojtarë të mrekullueshëm! Superkupa ndaj Tiranës? Tani po festojmë

schedule18:49 - 27 Gusht, 2020

schedule 18:49 - 27 Gusht, 2020

Trajneri i Teutës, Edi Martini, foli për RTSH pas kualifikimit të skuadrës së tij në raundin e dytë të UEFA Europa League, pas fitores 2-0 ndaj Beitar. Në fjalën e tij, kreu i pankinës së “Djemve të Detit” tha:

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse kundërshtari kishte cilësi. Megjithatë ne bëmë më shumë raste, krijuam shumë dhe rrezikuam më tepër se sa kundërshtari. Jam i lumtur sepse skuadra bëri saktësisht ato gjëra që ne kishim provuar në stërvitje.

I falenderoj të dy sulmuesit. Janë dy sulmues të talentuar, njëri më i mirë se tjetri. Më vjen mirë që mundën të lënë shenjë në këtë ndeshje, sepse për ne ishte realisht një ndeshje e rëndësishme.

Frashëri? Unë nuk veçoj lojtarë. Unë vlerësoj grupin. Ne kemi 18 lojtarë të mrekullueshëm. Këto janë ndeshje që nuk luhen, këto janë ndeshje që thjesht fitohen. Këtë sukses ia dedikojmë familjeve tona. Do të kishin dashur të ishin në stadium për të na ndjekur, por e di që na kanë vëzhguar nga televizori. Natyrisht, ky triumf shkon edhe për tifozerinë durrsake.

Çfarë pres nga presidenca? Ne do të punojmë në merkato, por duhet të pranojmë se kemi një ekip mjaft të mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos bëjmë gabime në merkato, sepse ato peshojnë gjatë sezonit.

Dua të shijojmë një herë këtë sukses të madh që arritëm dhe më pas të mendojmë për shortin dhe rivalin që do të na ofrojë. Superkupa me Tiranën? Ajo është një ndeshje, por më parë duhet të pushojmë. Kemi bërë shumë pak pushime, sepse edhe sezoni zgjati shumë. Do të përgatitemi me kujdes për ato ndeshje, u shpreh Martini./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!