Ronald Koeman nuk e ka në plane dhe Interi nuk heziton t’i rikthehet pistës Arturo Vidal. Edhe pse mesfushori duhet thënë se bëri një sezon të mirë në aspektin personal te katalanasit, kjo nuk mjafton që të mbetet në skuadrën që trajneri holandez po projekton për të ardhmen.
Gazetari i njohur italian, Fabrizio Romano, përmes llogarisë së tij në “Twitter” shkruan se bisedimet kanë nisur dhe në lojë është futur Antonio Conte, i cili e njeh mirë mesfushorin që nga bashkëpunimi i tyre te Juventusi.
Tekniku italian e kërkoi me ngulm Vidal edhe në janar, por Barcelona nuk hoqi dorë prej tij. Kiliani është nën kontratë me katalanasit, që sërish e kanë në dorë të ardhmen e tyre. Edhe pse në listën e largimeve, ata do mundohen të arkëtojnë sa më shumë nga shitja e tij. /abcnews.al