Gjykata e Katanias ka kërkuar 18 vite burg për Erson Zhukën dhe 12 vite për Ermir Bajën, pasi akuzohen për pjesëmarrje në një bandë mafioze dhe trafikim droge. Erson Zhuka njihet dhe si personi, i cili çoi në zbulimin e bandës së Habilajve falë përgjimeve të antimafias italiane.
Gjykata e Katanias ka kërkuar masa të rënda dënimi për një bandë mafioze, në të cilën janë përfshirë dhe dy shqiptarë. Për Erson Zhukën kërkohen 18 vite heqje lirie, ndërsa për Ermir Bajën 12 vite burg. Bashkë me 18 persona të tjerë, ata akuzohen për pjesëmarrje në një bandë mafioze, trafik dhe shpërndarje droge të rënduar me metoda mafioze. Sipas hetuesve të Katanias, bëhet fjalë për anëtarët një një grupi kriminal që drejtohej nga Michele D’Avola, i cili vepronte në rajonin e Katanias.
Organet e drejtësisë i konsiderojnë shqiptarët si dy persona shumë të rrezikshmë që kanë qenë shumë aktivë në luftën mes klaneve mafioze si Vizzini, Grammichele dhe Francofonte. Pikërisht mes 2012 dhe 2013 kur lufta mes bandave mafioze ishte intesifikuar, drejtësia e Katanias kishte nisur hetimet. Sipas gjykatës, në Vizzini ishte ngritur baza e grupit të trafikut të sasive të mëdha të drogës që transportohej nga Shqipëria. Më pas, lënda narkotike shitej në provinën e Katanias, Sirakuzës dhe Raguzës.
Ndërkohë, emri i Erson Zhukës nuk është i panjohur për drejtësinë italiane. Përgjimi i tij, gjatë hetimeve të 2012-s për rastin e përfshirjes në klanin mafioz, çoi në zbulimin e bandës të trafikut të lëndëve narkotike, e cila drejtohej nga Moisi Habilaj. Zgjerimi i hetimeve nga ana e antimafias italiane zbuloi më pas se Moisi Habilaj ishte një trafikant i madh droge që vepronte mes Shqipërisë dhe Italisë. Në këtë mënyrë nisi dhe operacioni “Trëndafili i Erërave”. Madje emri i Erson Zhukës përmendet disa herë dhe në përgjimet e bisedave telefonike dhe ambientale të bandës së Habilajve./abcnews.al