Koreja e Veriut ka akuzuar SHBA-të se po minojnë përpjekjet për paqe me Korenë e Jugut. Pheniani thotë se nuk është ulur në tryezën e bisedimeve nga presioni i sanksioneve amerikane.
Koreja e Veriut akuzon Shtetet e Bashkuara se po shkatërrojnë ç’tensionimin e situatës me Jugun pas takimit mes dy udhëheqësve Kim Jong-un dhe Moon Jae-in. Pheniani i përcakton në fakt “mashtruese” pretendimet e Shtëpisë së Bardhë se politika e sanksioneve dhe presionit politik të Uashingtonit është faktori që e çoi regjimin në tryezën e negociatave.
“Është një përpjekje e rrezikshme”, thotë Ministria e Jashtme e vendit komunist.
“Shtetet e Bashkuara po provokojnë me qëllim Korenë e Veriut pikërisht, ndërsa situata në gadishullin Korean po shkon drejt paqes dhe pajtimit”, thekson qeveria e Koresë së Veriut.
Ndërkohë, një takim mes Kim Jong-un dhe Presidentit amerikan, Donald Trump pritet të zhvillohet mes fundit të këtij muaji ose fillimit të Qershorit.
Gjatë samitit mes dy Koreve, Veriu ka bërë lëshime të shumta. Kim Jong-un ka njoftuar se është i gatshëm të asgjësojë arsenalin bërthamor nëse i garantohet se nuk do të rrëzohet nga pushteti dhe nëse nuk do të ketë pushtim të Koresë së Veriut nga SHBA dhe Jugu.
Situata ndërmjet dy vendeve po shkon drejt normalizimit të plotë dhe raportet janë përafruar ndjeshëm./abcnews.al