Stankovic: Kam ardhur vetëm të luaj futboll, Tirana ekip i ri dhe i organizuar!

schedule18:47 - 24 Gusht, 2020

schedule 18:47 - 24 Gusht, 2020

Trajneri i Cverna Zvezda, Dejan Stankovic, ka folur në konferencë për shtyp para ndeshjes së vlefshme për raundin e dytë të UEFA Champions League, kundër Tiranës. Në fjalën e tij, ish-mesfushori i njohur tha:

“Unë kam ardhur të luaj futboll dhe asgjë tjetër. Gjërat e tjera nuk më interesojnë. Nëse unë mendoj se duhet ta ndaloj ndeshjen, e ndaloj. Futboll është luajtur para kësaj ndeshje, do të luhet edhe pas kësaj ndeshje. Do të shohim si do të shkojë takimi.

Në radhë të parë, të vjen keq që nuk ka tifozë, pasi ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e futbollit. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, ne jemi përgatitur përpara maksimalisht, e kemi studiuar kundërshtarin. Jemi përgatitur për të gjitha skenarët.

Mendoj se Tirana është një ekip i ri dhe shumë i organizuar, ka shpejtësi dhe një bllok shumë të mirë, e treguan edhe në ndeshjen kundër Dinamo Tbilis.

Me sa kam kuptuar unë, trajneri i Tiranës ka marrë rolin e favoritit. Nëse ju mendoni se ne jemi favorit, atëherë jam dakord me ju (qesh). Sa i takon futbollistëve që janë grumbulluar, janë zgjedhje e imja. Kush nuk ka ardhur, kam vendosur për të mirën e ekipit. Këta që janë këtu, janë lojtarë me shumë eksperiencë dhe teknikë, fusha e lojës do e tregojë këtë gjë.

Unë e bëj përzgjedhjen time te gjendja aktuale e skuadrës, jo tek emrat. Nuk ka asnjë gjë tjetër. A do e lija Cverna Zvezdën për Interin? Gjatë kohës që kam qëndruar në Tiranë, kam kuptuar se në Shqipëri ka shumë tifozë të Interit. Nuk e di si do i shkojnë gjërat Contes, por unë jam i fokusuar vetëm te Cverna Zvezda.

A jemi provokuar ose kërcënuar në Shqipëri? Të them të drejtën, jo. Nuk kemi pasur asnjë problem, nuk e di çfarë shkruhet në media. Kombëtaren e Shqipërisë nuk e njoh mirë, thjesht njoh De Biasin dhe Panuccin. Vetë futbollin shqiptar, nuk e njoh shumë mirë”, përfundoi Stankovic.