Merkato në Superiore vijon, ndërkohë që dy klubet e kryeqytetit mendojnë të përforcohen. Tirana ka tentuar që të marrë Erdenis Gurishtën nga Vllaznia, por mbrojtësi i djathtë ka edhe një vit kontratë me kuqeblutë dhe për të duhet të paguhet.
Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport”, drejtuesit e klubit shkodran kanë pasur kërkesa të larta financiare dhe Tirana është tërhequr. 100 mijë euro janë kërkuar për kartonin e Gurishtës, i cili verën e ardhshme del lojtar i lirë.
Edhe te Partizani e duan një mbrojtës të djathtë dhe në skenë ka dalë mbrojtësi Vladica Brdarovksi. Kampion vjet me Vardarin, ai nuk është një emër i panjohur për klubet shqiptare. Në të shkuarën ka qenë Kukësi klubi që e ka pasur si opsion për prapavijën.
30-vjeçari prej pesë vitesh aktivizohej te Vardari dhe nëse merkato e Partizanit zhbllokohet, atëherë ai do të zbarkojë në kryeqytet. Me siguri ai do të ketë lënë afat për “demat”, pasi nuk mund të presë pafundësisht dhe të rrezikojë të mbetet pa ekip. /abcnews.al