Testohen edhe te Laçi për COVID-19, zbulohen përgjigjet

schedule14:59 - 20 Gusht, 2020

schedule 14:59 - 20 Gusht, 2020

Një stres më vete për klubet shqiptare është testimi i futbollistëve për COVID-19. Ajo që ka ndodhur me Dritën, Prishtinën dhe Gjilanin sot, ka bërë që klubet e Superiores të tregohen shumë të kujdesshme.

Kukësi anuloi miqësoren me Kastriotin, për të mos rrezikuar, ndërkohë që do të grumbullohet deri ditën e ndeshjes kundër Slavia Sofia. Edhe Teuta është grumbulluar dhe po stërvitet në Pukë. Durrsakët madje kanë bërë edhe testet për COVID-19 dhe të gjithë kanë dalë negativë.

Një ditë më parë të njëjtën gjë e ka bërë edhe Laçi, i grumbulluar në periferi të kryeqytetit. Futbollistët e klubit kurbinas, sikurse edhe stafi, janë testuar dhe sot kanë marrë edhe përgjigjet. Drejtues të klubit bardhezi, për “Abcnews.al” konfirmojnë se asnjë në ekip nuk është i infektuar me COVID-19.

Lajm i mirë ky për drejtuesit dhe stafin teknik. Testet e dyta do të zhvillohen më datë 25, 48 orë para ndeshjes me Keshla, në Azerbajxhan. Edhe te Teuta e Kukësi do të testohen njëlloj, duke respektuar protokollin e UEFA-s për ndeshjet në kupat e Europës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!