Saimir Tahiri i dorëzoi sot Kuvendit mandatin e deputetit. Tashmë parlamentit i mbetet të ndjekë procedurat ligjore duke shpallur vakancën, në mënyrë që KQZ t’i kalojë mandatin emrit të radhës në listën shumëemërore të PS-s.
Atë që tha një ditë më parë e vuri në jetë një ditë më pas. Saimir Tahiri dorëzoi zyrtarisht kërkesën për heqjen dorë nga mandati i deputetit.
“Për arsye që tashmë i kam bërë publike, kërkoj prej jush të ndiqni procedurat ligjore që parashikon ligji për dorëzimin e mandatit tim si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.
Në listën shumëemërore të Partisë Socialiste të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, emri pasardhës është ai deputetit Spartak Braho. I emëruar si këshilltari i kryeministrit Edi Rama për marrëdhëniet me parlamentin, Braho nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje nëse do të pranojë të ulet në në karrigen e Saimir Tahirit apo jo.
Paraditen e së premtes ai ka zhvilluar larg vëmendjes së mediave një takim me kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Nëse ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të refuzojë mandatin e deputetit, i kalon kryetarit të Forumit Rinor Eurosocialist, Eljo Hysko, që renditet i 20 në listën zgjedhore. Është radha e Komisionit Qendror të Zgjedheve që pasi të shpallë pavlefshmërinë e mandatit të vijojë me hapjen e vakancës./abcnews.al