Kthehen nga emigracioni, por vajzat e tyre janë inekzistente në Shqipëri

schedule23:08 - 3 Maj, 2018

schedule 23:08 - 3 Maj, 2018

Flamur dhe Lulzime Smakaj treguan në emisionin “Stop” historinë e tyre të pazakontë.

“Emigruam në vitin ’99 drejt Anglisë. Atje lindëm dy fëmijë. Shteti anglez na i regjistroi me çertifikata, siç ishin ligjet atje. Ne jetuam 3 vite e gjysmë në Angli dhe na kthyen”, rrëfeu Flamur Smakaj.

Në vitin 2003 ata i janë drejtuar gjendjes civile për të regjistruar vajzat e tyre, Luljeta dhe Eltjona Smakajn, por iu tha se duhet të nisnin një proces gjyqësor. Gjykatësi i çështjes, pas disa seancash, u kërkoi të bënin analizën e ADN-së për të provuar që janë fëmijët e tyre, por sërish nuk i regjistruan si shtetase shqiptare.

Denoncuesi shtoi: “Na rrëzoi çështjen dhe tha nuk i regjistroj dot fëmijët. Nuk e dimë arsyen“.

Ndërsa bashkëshortja e tij tregoi prova që vërtetojnë që ajo është e ëma Luljetës dhe Eltjonës, siç janë certifikatat e lindjes në Angli, librat që janë regjistruar në spital, fotografi, si dhe analizën e ADN-së.

“Unë kërkoj që të regjistrohen vajzat e mia për arsye se njëra është 18 vjeç dhe tjetra 15 vjeç. Duan të drejtën e tyre, duan arsimin si të gjithë. I kam vajza, nuk i lë dot pa shkollë!”, u shpreh Lulzime Smakaj.

Nga ana tjetër njëra nga vajzat tha se nuk ka asnjë mjet identifikimi për çfarë do lloj situate që mund t’i ndodhë.

“Nuk njihem fare në shtetin shqiptar. Nëse më kap policia, nuk njihem se kush jam. Nuk kam as letërnjoftim. Në qoftë se dua të shkoj të marr ndonjë shërbim nëpër spitale, nuk njihem fare dhe nuk përfitoj dot kartë shëndeti. Mbi të gjitha është që unë ngela pa shkollë, pa një të ardhme!  Kërkoj të drejtën që të njihem se kush jam, që jam vajza e  Flamur dhe Lulzime Smakajt”, u shpreh e shqetësuar njëra prej tyre.

Gazetarja e emisionit “Stop” komunikoi me avokatin e familjes Smakaj, Luan Muhon nëpërmjet telefonit, për të mësuar se ku qëndron problemi nga ana ligjore.

Avokati – Kanë qenë në Angli me bashkëshorten, por në kohën që kanë qenë në Angli, nuk kanë qenë të martuar. Kanë lindur 2 fëmijë jashtë martese, në kuptimin ligjor.

Më pas kanë bërë martesë, kur kanë ardhur në Shqipëri, si dhe 2 fëmijë të tjerë. Tani, kanë kërkuar me gjykatë që t’i njihet fëmija, por aktet e lindjes janë në Angli. I kanë rregjistruar atje me emra kosovarë, kështu që duhet të bëjë një objekt tjetër gjyqësor: Njohjen e mëmësisë dhe atësisë.

Gazetarja – Po mirë, ADN-ja nuk pi ujë në këtë rast?

Avokati – Jo!

Gazetarja – Po pse e ka kërkuar gjykata? Sepse janë gjithë këto lekë të hedhura dëm domethënë, 1 milion e gjysmë.

Avokati – Gjykata…kështu i orientoi. Bëri njëherë ADN-në

Gazetarja – E paska praktikë të vetën?

Avokati – Po, pra po…, kështu janë këto problemet e gjykatave.

Gazetarja – Si do ta zgjidhni këtë çështje si përfaqësues ligjor?

Avokati – Do të bëjmë një objekt të ri: Njohjen e mëmësisë dhe atësisë, duke pasur parasysh që ky akt, akti i ADN-së është marrë në rrugë ligjore nga gjykata dhe të përdoret për procesin e dytë gjyqësor.

Pra, pas 15 gjyqesh, familjes Smakaj i nevojitet të bëjë edhe një gjyq tjetër për të vendosur në certifikatën familjare dy vajzat e tyre, që rezultojnë inekzistente në Shqipëri, pasi kanë lindur në Angli./tvklan.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!