Milionat, rreshtimi dhe transmetimi: Gjithçka për Dinamo Tbilisi-Tirana

schedule10:39 - 19 Gusht, 2020

schedule 10:39 - 19 Gusht, 2020

Tirana është gati, Dinamo Tbilisi e pret. Sonte, prej orës 19:00 (transmetohet në RTSH Sport), kampionët e Shqipërisë zbresin në fushën e lojës dhe do kërkojnë pas tetë vitesh të kalojnë një tur në kompeticionet europiane. Një kualifikim që vlen shumë edhe në aspektin financiar, pasi në arkat e kampionëve të vendit do të shkonin edhe 380 mijë euro të tjera, veç 280 mijë eurove për pjesëmarrjen në turin e parë të Europa League.

Për lojtarët këto ndeshje vlejnë shumë edhe për reklamë dhe te Tirana sigurisht synojnë edhe të shesin dhe një prej atyre lojtarëve që ka oferta është sulmuesi Ernest Muçi. I riu do të ketë mundësinë të luajë titullar sot dhe të tregojë vlerat e tij. Në mbështetje të tij, trajneri Egbo ka programuar të zakonshmit që luajnë në Superiore.

Cobbinah, Torassa dhe Cale do të tentojnë të befasojnë gjeorgjianët, ndërkohë që shpinën atyre ua mbrojnë të zakonshmit Batha e Çelhaka. Ata kanë përsipër “punët e pista” në mesfushë, ndërkohë që te Tirana janë projektuar ndryshime në mbrojtje.

Ardit Toli dhe Filip Najdovksi pritet të jenë titullarë, ndërkohë që një vend në formacion e ka të sigurt edhe Kristi Vangjeli. Dilema për krahun e majtë të prapavijës, për shkak të një problemi muskulor që ka pasur Erion Hoxhallari. Nëse ai nuk ia del, atëherë titullar do të jetë Ismajlgeci. /abcnews.al

TIRANA (4-2-3-1): Lika – Toli, Vangjeli, Najdovski, Ismajlgeci- Batha, Çelhaka, – Cobbinah, Torassa, Cale – Muçi